Opinionistja, Alma Lama, deklaroi se me marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë për faturimin e energjisë në komunat veriore, krijohet ndarja e Kosovës në shumë fusha.
Madje, ajo thotë se me këtë veprim, Kosova e ka bërë Qeverinë e Serbisë si “aksionare” në sistemin energjetik të vendit.
“S’është për tu mbrojtur, krijon ndarjen e Kosovës praktikë kjo që është ndarje në shumë fusha, sistemi energjetik jo vetëm që ndahet por me këtë që është arritur sot, Qeveria e Serbisë është bërë aksionare e drejtpërdrejt sepse kompania është krijuar nga ajo”, tha ajo.
Sipas saj, nuk mund të thuhet se me këtë marrëveshje Serbia e ka njohur Kosovën.
Tutje, Lama në “Këndin e Debatit” në Tëvë 1, potencon se me licencimin e kësaj kompanie shteti serb mund ta përdorë energjinë edhe për arsye destabilizimi të vendit.
Po ashtu, ajo përmend edhe një deklaratë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti më 2013-ën kur ishte nënshkruar kjo marrëveshje, kishte thënë se “po heqet dorë nga sovraniteti për pjesën veriore”.
“Përderisa është bërë aksionare Serbia e cila është e lidhur kokë e këmbë me Rusinë që në veri të Kosovës mund të blejë dhe të shesë kjo kompani energji ku të dojë dhe ku mundet. Dhe mund ta përdorë energjinë për arsye sigurie destabilizimi për çfarë të dojë në mënyrë të ligjshme dhe kjo në mënyrë të ligjshme sepse sot është nënshkruar marrëveshja. Këta e kanë pranuar siç ka thënë Kurti ‘heqjen dorë nga sovranitetit për pjesën veriore’, kështu që çdo gjë që thuhet është mashtrim i opinionit”, shtoi ajo.