Policia fillon një aksion në fshatrat e Pejës, Istogut e Klinës, kundër zyrave paralele të Serbisë
Policia e Kosovës ka nisur një aksion nëpër disa vendbanime në komunat e Pejës, Klinës dhe Istogut. Në fshatin Videjë të Klinës, policia e ka bastisur shtëpinë e cila funksiononte si zyre paralele e Serbisë.
Burime të besueshme të Telegramitsot, na treguan se atë zyre e drejtonte ish-asambleisti i Listës Serbe në Klinë, Bozhidar Sharkoviq, i cili në vitin 2013 -2017, ishte në koalicion me PDK-në në këtë komunë. Sipas këtyre burime policia është në kërkim të Bozhidarit, i cili nuk ishte në objekt në momentin e bastisje.
Po ashtu, merret vesh se aksioni i sotëm është i ngjashëm me atë që është zhvilluar në Dragash për mbylljen e komunave paralele serbe.
Përveç Kline Policia e Kosovës kanë hyrë në oborrin e komunës paralele të Istogut në fshatin Osojan ku është kontrolluar edhe zyra postare dhe në ambulantën e këtij fshati.
Policia ende nuk ka dalë me raport zyrtarë për këtë aksion.
Ndërsa zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka deklaruar se:
“Prokurori i Shtetit bashkë me Policinë e Kosovës kanë ndërmarrë një aksion në disa fshatra të cilët janë në kompetencë e Prokurorisë Themelore në Pejë, nën dyshimin se ka pasë struktura ilegale dhe njëkohësisht gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të dyshimta, janë hequr flamuj, ndërkaq persona të dyshuar për momentin janë duke u intervistuar në stacionin policor”.