Këtë të mërkurë Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar Dragisha Milenkoviq, me 7 vjet burgim për krime lufte në Kosovë, raporton Gazeta “Enigma”.
Përveç këtij dënimi Milenkoviq u dënua edhe për armëmbajtje pa leje u dënua me 1 mijë e 500 euro gjobë. Në këtë rast, Dragisha Milenkoviq akuzohet se në cilësi të gardianit në burgun e Prishtinës dhe Lipjanit, ka torturuar në mënyrë çnjerëzore të burgosurit.
Aktgjykimi ndaj Milenkoviq u shpall të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi. Gjykatësi Krasniqi tha se ndaj Milenkoviqit lidhur me akuzën për krime lufte, Gjykata shpall dënim në kohëzgjatje prej 7 vjet burgim, kurse për armëmbajtje pa leje u dënua me 1 mijë e 500 euro gjobë, ndërsa arma në fjalë urdhërohet të konfiskohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I akuzuari u obligua edhe për shpenzimet e procedurës në shumën prej 300 euro dhe 100 euro për fondin e viktimave të krimit. Të njëjtit iu vazhdua masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.
Aktakuza e ngritur më 26 dhjetor 2023 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon Dragisha Milenkoviqin se në cilësinë e gardianit të Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999, në Burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit, në bashkëkryerje në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë.
Kujtojmë se më 10 janar 2024, në seancën fillestare Milenkoviq ishte deklaruar i pafajshëm për krime lufte, ndërsa kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje.