Ish-Inspektori i Përgjithshëm në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Shkëlzen Sopjani, e ka cilësuar si të çuditshme deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, për Policinë e Kosovës.
Në emisionin Info Magazinë në Klan Kosova, ai ka thënë se po vërehet një presion i shtuar ndërkombëtar ndaj Kosovës.
“Presioni është shtuar posaçërisht këtë vitin e fundit, kemi pasur shtim të theksuar të presionit të partnerëve tanë ndaj Qeverisë së Kosovës dhe ndaj vetë Republikës së Kosovës pasi që edhe ky tension është përkthyer edhe me disa veprime dhe masa shtrënguese që i caktoi vetë BE-ja”, ka thënë Sopjani.
Sipas tij, ky presion nuk është i drejtë sepse presioni kryesisht i është drejtuar Kosovës, e nuk po ka presion aspak për Serbinë.
“Presion ishte edhe deklarata e djeshme e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Stoltenberg, i cili e dha një deklaratë paksa interesante dhe të çuditshme marrë parasysh se kërkoi që në një mënyrë të ketë edhe koordinim më të theksuar edhe për reagimin e njësive policore në atë pjesë – që deri sot kjo nuk ka qenë çështje”, ka shtuar ai.