Zhurmë e polemika kanë shkaktuar në Kosovë, deklaratat e ish-kryetarit të Asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, dhënë të hënën, para Komisionit parlamentar për Legjislacion, shkruan Gazeta “Enigma”.
Dëshmia e Simmons, ngreh dyshime se EULEX-i ka transferuar të dhëna në Serbi, që kishin të bënin me mizoritë e pretenduara të kryera nga serbët gjatë luftës. Sipas tij, EULEX-i e dinte që Serbia nuk kishte vullnet për të hetuar dhe gjykuar këto raste.
Gjatë raportimit para Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Simmons ka thënë se misioni i EULEX-it nuk ishte Mision “i sundimit të ligjit, por Mision politik”.
Lidhur me këtë, ish komandanti i UÇK-së në Zonën e Nerodimes, Shukri Buja, në një prononcim për Gazetën “Enigma”, ka thënë se pretendimet e Simmons, dëshmojnë për tendencat politike të bashkësisë ndërkombëtare.
“Më mirë vonë se kurrë, thotë një fjalë e urtë popullore. Këto reagime edhe pse me vonesë, po dëshmojnë se çfarë tendenca ka pasur politika e ndërkombëtarëve dhe sa ndërhyrje kanë bërë ata, edhe pse gjithmonë neve në politikë na kanë sugjeruar, dhe madje edhe sanksionuar për ndërhyrje në gjyqësor. Dëshmia e ish-gjyqtarit Simmons tregon edhe për tendencat dhe pa besueshmërinë e Gjykatë Speciale, të cilën unë gjithmonë e kam cilësuar si politike dhe të anshme”, ka thënë ai.
Sipas tij tërë këto dëshmi, e dëshmojnë luftën e pastër e pa pretendime të UÇK-së.
“Tërë kohën kemi theksuar se lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë dhe pa pretendime, dhe pa njollosje. Ne kemi bërë luftë çlirimtare, kurse ata që kanë bërë krime dihen, e që është Serbia. Mirëpo shpeshherë këto deklaratat tona kanë ra në vesh të shurdhër dhe për shkak se politika ka ndërhy në drejtësi”, ka thënë tutje ai për Gazetën “Enigma”.