Ish komandanti i UÇK-së: Dëshmitë e gjyqtarit Simmons, e rikonfirmojnë luftën e pastër të UÇK-së

Ish komandanti i UÇK-së: Dëshmitë e gjyqtarit Simmons, e rikonfirmojnë luftën e pastër të UÇK-së

Zhurmë e polemika kanë shkaktuar në Kosovë, deklaratat e ish-kryetarit të Asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, dhënë të hënën, para Komisionit parlamentar për Legjislacion, shkruan Gazeta “Enigma”.

Dëshmia e Simmons, ngreh dyshime se EULEX-i ka transferuar të dhëna në Serbi, që kishin të bënin me mizoritë e pretenduara të kryera nga serbët gjatë luftës. Sipas tij, EULEX-i e dinte që Serbia nuk kishte vullnet për të hetuar dhe gjykuar këto raste.

Gjatë raportimit para Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Simmons ka thënë se misioni i EULEX-it nuk ishte Mision “i sundimit të ligjit, por Mision politik”.

Lidhur me këtë, ish komandanti i UÇK-së në Zonën e Nerodimes, Shukri Buja, në një prononcim për Gazetën “Enigma”, ka thënë se pretendimet e Simmons, dëshmojnë për tendencat politike të bashkësisë ndërkombëtare.

“Më mirë vonë se kurrë, thotë një fjalë e urtë popullore. Këto reagime edhe pse me vonesë, po dëshmojnë se çfarë tendenca ka pasur politika e ndërkombëtarëve dhe sa ndërhyrje kanë bërë ata, edhe pse gjithmonë neve në politikë na kanë sugjeruar, dhe madje edhe sanksionuar për ndërhyrje në gjyqësor. Dëshmia e ish-gjyqtarit Simmons tregon edhe për tendencat dhe pa besueshmërinë e Gjykatë Speciale, të cilën unë gjithmonë e kam cilësuar si politike dhe të anshme”, ka thënë ai.

Sipas tij tërë këto dëshmi, e dëshmojnë luftën e pastër e pa pretendime të UÇK-së.

“Tërë kohën kemi theksuar se lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë dhe pa pretendime, dhe pa njollosje. Ne kemi bërë luftë çlirimtare, kurse ata që kanë bërë krime dihen, e që është Serbia. Mirëpo shpeshherë këto deklaratat tona kanë ra në vesh të shurdhër dhe për shkak se politika ka ndërhy në drejtësi”, ka thënë tutje ai për Gazetën “Enigma”.

Related Articles