Ali Ahmeti, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, ka thënë se pret që ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi e të tjerë, të dalin faqebardhë nga procesi gjyqësor që po zhvillohet ndaj tyre në Gjykatën Speciale në Hagë.
Ai deklaroi se procesi mund të zgjasë, pasi tani është faza e dëshmitarëve, të cilët sipas tij, janë goxha të rëndësishëm.
“Duhet të vendoset drejt, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat se si ka vepruar Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Njerëzit duhet të lihen të lirë, dhe unë jam i bindur që ata do të jenë të lirë.”
“Do të zgjasë sigurisht edhe një kohë derisa të përfundojë e tërë procedura, pasi akoma është faza e dëshmitarëve. Janë dëshmitarë jo të parëndësishëm në seanca, por unë jam i bindur që e drejta do të dalë në dritë,” tha Ahmeti, në Klan Kosova.
Kreu i BDI-së shtoi se në rast dënimi të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe bashkëluftëtarëve të tjerë në Hagë, kjo nuk do të jetë gjë e mirë.
“Mendoj që nuk është mirë dhe nuk do t’i shërbejë paqes, stabilitetit dhe sigurisë. Mbase askush nuk mund t’i kontrollojë grupet e caktuara, njerëz të caktuar,” tha Ahmeti.
Ai u shpreh se nuk mund të ketë garanci për emocionet e njerëzve, të cilët janë shumë të lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.