Ish-kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras tha se lëvizja për zbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit nuk mjafton për ta mbështetur anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës.
Në fjalën e tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Tsipras foli eskalimet serioze ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nevojën për themelimin e Asociacionit.
“Kjo nuk mund të jetë e mjaftueshme për ta mbështetur anëtarësimin. Kemi parë eskalime shumë serioze. Disa për shkak të Beogradit, por edhe disa të tjera për shkak të vendimeve të Prishtinës. Ajo që është me rëndësi, është se na duhen veprime për sa i përket ligjit për shpronësim dhe propozime me mirëbesim për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke përfshirë edhe udhërrëfyesin. Nuk mund të ndërtojmë paqe mbi zotime abstrakte”, tha ai.
Tsipras tha se nevojitet “gjetja e një kompromisi politik”, dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duhet ta shfrytëzojë kapitalin e vet politik, ashtu si presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
“Politikanët duhet ta kenë vullnetin politik për progres, edhe nëse kjo nënkupton sakrifikimin e një pjese të kapitalit të tyre politik. Kam folur shumë herë edhe me kryeministrin Kurti, që besoj se ka një kapital shumë të rëndësishëm politik me njerëzit e tij, që ai duhet ta shfrytëzojë dhe siç kam folur disa herë me presidentin Vuçiq në Serbi që edhe ai mund ta shfrytëzojë kapitalin e vet politik”, tha ai.