Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, i dënuar për Korrupsion dhe Krim të Organizuar, do të ekstradohet drejt Shqipërisë pasi u arrestua nga policia italiane.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njofton se i ka dërguar Ministrisë së Drejtësisë dokumentacionin e nevojshëm për ekstradimin e Llallës në Shqipëri.
Ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla është ndaluar të premten në Romë të Italisë.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka dënuar me dy vjet burgim.
Ish-kryeprokurorit, veç vendimit të fajësisë, i ndalohet ushtrimi i funksioneve publike për pesë vjetët e ardhshme, ndërsa i janë konfiskuar disa pasuri mes tyre toka dhe një apartament.
Adriatik Llalla bëhet kështu zyrtari më i lartë shqiptar që do të shkojë përfundimisht në qeli.
Ai u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor të 2017, kur i mbaroi mandati 5-vjeçar.
Hetimi ndaj Llallës u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave.
Ai u hetua edhe për veprën penale të “mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”.
Më pas, dosja u dërgua në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në korrik 2018, gjykata respektive vendosi sekuestron e pronave të ish-Prokurorit të Përgjithshëm.
Akuzat u rrudhën në 2021, ku SPAK njoftoi më 9 mars përfundimin e hetimeve vetëm për veprën penale “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”, për të cilën do të vuaj dy vite burg./Gazeta Enigma/