Adem Salihaj ka dhënë dorëheqje nga Lidhja Demokratike e Kosovës, duke thënë se tash e tutje dëshiron t’i përkushtohet familjes dhe shkrimeve.
Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se për 32 vjet me radhë ka qenë pjesë e këtij subjekti politik duke përfshirë edhe themelimin e degës së LDK-së në Ferizaj.
“Të dashur veprimtarë, sot kemi ardhur në një moment kur unë dua ta përfundoj periudhën e angazhimit partiak dhe të marrin përgjegjësi gjeneratat e reja, ta vazhdojnë punën dhe aktivitetin në LDK. Shpresoj se do të gjenden njerëz që do ta vazhdojnë vizionin rugovian dhe frymën e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, tri shtyllat kryesore dhe tri vlerat më të mëdha të partisë sonë, të vendosura nga Presidenti Rugova”, ka shkruar Salihaj.