Ish-drejtuesi i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, është bërë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka njoftuar kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, raporton Gazeta “Enigma”.
“Ligjëruesi universitar e doktoranti i ekonomisë Berat Rukiqi, nga sot është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Si ekonomist i dalluar e si aktivist i pandalshëm i angazhimit publik për një shoqëri të zhvilluar, Berati me gjithë bagazhin e tij intelektual e profesional do t’i japë vlerë projektit tonë politik”, tha Abdixhiku.
Postimi i plotë:
Ligjëruesi universitar e doktoranti i ekonomisë Berat Rukiqi, nga sot është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Si ekonomist i dalluar e si aktivist i pandalshëm i angazhimit publik për një shoqëri të zhvilluar, Berati me gjithë bagazhin e tij intelektual e profesional do t’i japë vlerë projektit tonë politik.
Berat Rukiqi ka magjistruar në Bruksel mbi Politikat Ekonomike të Bashkimit Evropian; gjersa vazhdon studimet e doktoratës në Universitetin e Prishtinës. Si udhëheqës i Odës Ekonomike të Kosovës, ai ka artikuluar në vazhdimësi pikëpamje të një ekonomie të lirë e të fuqishme. Ai i njeh mirë të gjitha sfidat e sektorit privat, sikurse dhe njeh mirë domosdoshmërinë e kohës për një ambient që ankoron vendin tonë në stade të reja zhvillimore.
LDK është e lumtur që – si adresë e vetme e njerëzve profesionistë – po shton radhët e veta secilën ditë. Gjatë vitit të fundit, sikurse Berati, LDK-së e strukturave tona u janë bashkuar aktivistë të shoqërisë civile, ligjërues akademikë, deputetë e kryetarë komunash. Të gjithë bashkë, do t’i japim vendit një zgjedhje politike të pastër, profesionale e ndërtuese të së ardhmes.
Mirë se vjen Berat!
Na priftë e mbara.