Ish-kryetarja e Kushtetueses reagon pasi iu përmend emri si pjesë e Qeverisë së re: S’kam interesim për asnjë post publik e politik

Ish-kryetarja e Kushtetueses reagon pasi iu përmend emri si pjesë e Qeverisë së re: S’kam interesim për asnjë post publik e politik

Ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka ka dalë me një reagim pasi u bë pjesë e një bisede ku emri i saj përmendej si opsion për Kryeministre të ardhshme, gjë që çoi më pas edhe në sulme nga eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Caka tha se biseda ku u përmend emri i saj për një pozitë në një qeveri të re të mundshme, bëri që të nis një fushatë kundër saj.

“Nuk kam reaguar asnjëherë ndaj sulmeve, shpifjeve dhe linçimit që fatkeqësisht e karakterizojnë diskursin tonë publik. Vlerësoj që një nivel dhe mënyrë e tillë e padenjë e komunikimit, nuk meriton të legjitimohet me përgjigje. Përjashtimisht dhe marrë parasysh që një bisedë në të cilën është përmendur edhe emri im, pa dijeninë dhe rrjedhimisht, pa miratimin tim, ka mjaftuar për të filluar një fushatë agresive dezinformatash bazuar në kauza të motivuara politikisht, përfshirë kundër institucioneve të Republikës, konsideroj që është i nevojshëm një sqarim i shkurtër dhe i prerë”, ka shkruar Caka.

Caka e ka qartësuar se nuk ka diskutuar me asnjë person apo parti politike për poste publike e politike, dhe nuk ka interesim për nëj gjë të tillë.

“Nuk kam diskutuar me asnjë person e as parti politike rreth asnjë funksioni publik e politik, si dhe nuk kam asnjë interesim për diskutime të tilla. Do të mbetem gjithnjë krenare që i kam shërbyer një institucioni me kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e rendit kushtetues dhe vlerave të demokracisë në Republikën e Kosovës. Ndërsa, ashtu siç jam deklaruar gjithnjë, brenda fushëveprimit të profesionit tim, do të vazhdoj të punoj me përkushtim për forcimin e shtetit të së drejtës në Republikën e Kosovës, duke e mbrojtur edhe integritetin e funksionit që kam ushtruar në Gjykatën Kushtetuese”, ka shkruar ish-kryetarja e Kushtetueses.

Në fund, Caka ka paralajmëruar: “Të gjitha çështjet tjera, do t’i adresoj përmes mekanizmave ligjorë”.

Related Articles