Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq kanë marrë ftesë për takim nga Brukseli.
Ftesa vjen tri ditë para hyrjes në fuqi të fazës së dytë të vendimit të Qeverisë për targat, e ku parashihet edhe nisja e shqiptimit të gjobave.
Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, thotë se janë gjasat e mëdha që i pari i ekzekutivit të vendit të heq dorë nga vendimi që mori.
“Besoj që Albin Kurti ka mu pajtu me shty vendimin për targat. Mundet me bë ndonjë modifikim, por sidoqoftë ka mu pajtu që të jetë 10 mujor apo 1 vjeçar, afati i targave”, deklaroi ai për Front Online.
Ai kërkon që të jepet afati i kërkuar për targat, e të vazhdojnë bisedimet për zgjidhjen e statusit final të Kosovës.
Sipas tij, vetëm kjo do t’i zgjidhte problemet teknike.
“Të ndryshohet vendimi që është marrë nga Qeveria, të jepet ajo që e kanë kërkuar aleatët, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe Bashkimi Evropian, dhe të vazhdohet biseda politike për zgjedhje të statusit final të Kosovës. Statusi final i zgjidh këto probleme teknike, domethënë kur zgjidhet statusi final i Kosovës, problemi i targave është fëmijëror”, u shpreh Mustafa për Front Online.
Nga 1 nëntori Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave. Faza e parë e planit parasheh qortimin e shoferëve që ngasin makina me targa të paligjshme. Më 21 nëntor pritet të hyjë në fuqi faza e dytë, shqiptimi i gjobës prej 150 eurosh.
BE-ja dhe SHBA-ja i kanë kërkuar Kosovës që të shtyjë për dhjetë muaj zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, me qëllim shmangien e tensioneve
Në kundërshtim të vendimit për riregjistrimin e targave të veturave, qytetarë serbë të Kosovës, nga katër komunat veriore të vendit, kanë hequr dorë nga pozitat e tyre në institucionet e Kosovës që nga 7 nëntori.
Dorëheqjet u dorëzuan në institucione si Policia, Gjykata e Prokuroria, Dogana e të tjera.