Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka shprehur shqetësime serioze lidhur me kërkesën e presidentes Vjosa Osmani drejtuar Gjykatës Kushtetuese, për sqarime rreth pasojave juridike në rast të mosrespektimit të afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Sipas Kryeziut, janë dy çështje që e shqetësojnë veçanërisht në këtë rast. E para, sipas tij, është vonesa në paraqitjen e kësaj kërkese.
“Kjo kërkesë është dashur të bëhet shumë më herët. Nuk ka sens që Presidentja të presë deri në ditët e fundit për të kërkuar sqarime për një çështje kaq të rëndësishme, që po e shqetëson gjithë Kosovën. Kjo vonesë jep përshtypjen e një taktizimi politik edhe nga vet Presidentja”, ka deklaruar Kryeziu.
Pika e dytë që ai e cilëson problematike është përfshirja në kërkesën e Presidentes edhe e një mase të përkohshme për pezullimin e afatit 30-ditor kushtetues për konstituimin e Kuvendit.
“Një kërkesë e tillë është gabim dhe absurde. Gjykata Kushtetuese nuk ka kompetencë të pezullojë një afat që rrjedh drejtpërdrejt nga Kushtetuta – konkretisht nga neni 66. Ky afat nuk është shpikje e Gjykatës, por është normë kushtetuese, prandaj edhe nuk mund të pezullohet nga ajo”, u shpreh ai.
Kryeziu thekson se një kërkesë e tillë bie ndesh me detyrimin kushtetues të Presidentes për të garantuar funksionimin normal të institucioneve dhe rrezikon të prodhojë një precedent të rrezikshëm në sistemin kushtetues të vendit.
Ndërkohë, Presidenca ka argumentuar se masa e përkohshme synon të parandalojë një bllokadë institucionale që mund të çojë në veprime jashtë kornizës kushtetuese dhe në mungesë afatesh të qarta për funksionimin e Kuvendit.