“Nëse Serbia është realiste dhe i ka në rend të parë interesat e serbëve të Kosovës ajo do të pranonte modelin kroat” për Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe – që është ofruar edhe nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 2 maj – ka vlerësuar ish-Presidenti i Kroacisë, Ivo Josipovic.
Ish-kreu i shtetit kroat, pyetur për sanksionet ndaj Kosovës, ndonëse nuk dyshon se Kosova është në rrugën e saj të drejtë dhe mbron interesat shtetërore me kursin e ndjekur në veri të Kosovës, i bën vërejtje qeverisë se “në parim politika, veçanërisht në kohëra të ndjeshme dhe të rrezikshme, nuk është thjesht një zbatim mekanik i ligjit, por kjo, që përveç legalitetit, duhet të mendohet për racionalitetin dhe legjitimitetin e disa zgjidhjeve të caktuara”.
Kjo situatë në të cilën gjendet Kosova, për Josipoviqin është e njohur: edhe Kroacia është gjendur në situata të ngjashme, na thotë ai.
“Në periudhën e tranziconit pas luftës në Kroaci, qeveria kroate gjithashtu morri vendime që duhej rishikuar, disa madje edhe të ndryshoheshin, morri përsipër interesat e vendit si tërësi, por gjithashtu e dinte kur ishte e nevojshme të bënte lëshime për mbështetjen e aleatëve të saj”.
Andaj, këshillueshëm, Ivo Josipoviq thotë se “është e rëndësishme që të kuptohet qartësisht hierarkia e vlerave dhe interesave, sepse vetëm të kuptuarit e kësaj të çon te vendimet e drejta”.
Për sanksionet ndaj Kosovës, ish-presidenti kroat, ndonëse nuk shprehet si mbështetës i tyre, thotë se “mesazhi i sanksioneve është që ajo që është nënshkruar dhe pajtuar duhet të respektohet”.
Për Serbinë dhe qasjen e Perëndimit ndaj saj, edhe Josipoviq, vëren se jo vetëm Kosova e sheh si “qasje të butë dhe të durueshme” por edhe më gjerë. Leximi i tij i kësaj qasje është se Perëndimi nuk dëshiron të lë Serbinë – si vendi më i madh në rajon – në duar të politikave ruse. “Mbase nuk është vlerësim realist”, thotë ai, dhe shton se “çështja është nëse Serbia ka edhe energji për ndonjë aventurë të re pas të gjitha që kanë ngjarë”.
Nacionale e ka pyetur ish-Presidentin e Kroacisë edhe për çështjen e emërimit si Zëvendës Ministër në Qeverinë e Kosovës, Radoica Radomiroviqin, pavarësisht asaj se ky i fundit ishte pjesëtarë i JNA-së në luftimet famëkeqe në Vukovar.
“Është e qartë se në Kroaci nuk i shohim me pëlqim ata që kanë luftuar në vendin tonë dhe kanë qenë pjesë e ushtrisë së agresorit”, na tha Ivo Josipoviq, por shton se me sa është në dijeni, Radomiroviq “nuk ka kryer krime” dhe “nuk e ka shkelur ligjin e luftës dhe atë humanitar”. E për më tepër, ai thotë se “në fund të fundit, Kroacia i ka falur me ligj të gjithë ata që e kanë luftuar dhe nuk kanë kryer krime”./nacionale/