Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën e rigjykimit të hënën, ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica, u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 7 maj 2024 ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Betim Reçica, dhe tre zyrtarëve të tjerë Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini, të akuzuar për keqpërdorime me tenderin për Autostradën e Gjilanit, raporton “Betimi për Drejtësi”
Ndërsa, Gjykata e Apelit mori vendim me të cilin e ka prishur pjesërisht aktgjykimin e Themelores. Apeli anuloi aktgjykimin për pikat II, IIa dhe IIb për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” në vazhdimësi, vepër për të cilën akuzohet Reçica dhe e ka kthyer rastin në rigjykim.
Kurse, ka vërtetuar pikat I, III, IV, V të aktgjykimit të Themelores kundër katër të pandehurve në drejtim të veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrim i ndikimit” dhe “Shpëlarja e parave”.
I akuzuari Reçica, në seancën e sotme u deklarua i pafajshëm lidhur me pikat të cilat Apeli i ka kthyer në rivendosje.
Më pas, seanca vazhdoi me dhënien e fjalës hyrëse nga palët në procedurë, si dhe me administrimin e provave.
Prokurorja speciale, Shenaj Berisha fjalën hyrëse e dorëzoi me shkrim, ndërsa shkurtimisht në elaborimin e saj, ndër të tjera deklaroi se në këtë shqyrtim gjyqësor do të vërtetohet se tani i akuzuari Reçica ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Reçica, avokati Driton Muharremi, tha se do të vërtetohet se kompetencat e sekretarit kanë buruar edhe nga Ligji për administratën shtetërore, Rregullorja mbi degën e ekzekutivit, Ligji mbi financat publike, Ligji i buxhetit të vitit 2019, si dhe nga rregulloret e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave dhe MIF.
Ndërkaq, me pëlqimin e palëve u lexuan deklaratat e dëshmitarëve dhe ekspertëve të propozuar, deklarata këto të dhëna paraprakisht në këtë procedurë.
Në fund, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Kushtrim Shyti e ndërpreu seancën e sotme dhe të radhës e caktoi për një datë tjetër.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 15 shkurt 2021, Betim Reçica po akuzohet se si ushtrues i detyrës së drejtorit të Prokurimit Publik në Ministrinë e Infrastrukturës gjatë vitit 2017, me qëllim të përfitimit financiar për kompaninë “Gjoka Konstruktion”, ushtroi ndikim të drejtpërdrejtë te Isa Berisha, kryetar i Komisionit Rivlerësues dhe Leonora Limani e Mirdit Emini, anëtarë të këtij komisioni, që ishin vartës të tij, duke i vënë në presion kohor që rivlerësimin e tenderit për ndërtimin e Autoudhës së Gjilanit ta kryejnë për 10 ditë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Reçica kishte kërkuar nga anëtarët e këtij komisioni që të shkojnë në takim me ministrin Pal Lekaj, e që pastaj ta shpallin fitues OE “Gjoka Konstruktion” edhe pse nuk i përmbushte kriteret e tenderit më mirë se “Papenburg Adriani”, që e kishte rekomanduar Komisioni Rivlerësues, i cili për shumën prej 1 milion e 630 mijë e 487 euro kishte ofruar çmim më të ulët. Me këto veprime, akuzohet se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”.
Reçica akuzohet edhe se si sekretar i përgjithshëm në MI nxori vendim për pagesën e shtesave në pagë për 14 zyrtarë të kësaj ministrie edhe pse ishin të angazhuar në detyra të rregullta. Po ashtu, akuzohet se ka nxjerrë dy vendime të kundërligjshme, me qëllim që të bëhet kompensimi financiar për dy zyrtarë të angazhuar në Komisione për realizimin e projekteve kapitale në MI, Hysen Merovcin dhe Ardian Begaj. Me këto veprime, Reçica ngarkohet me veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritet zyrtar”.
Reçica ngarkohet edhe për “Shpëlarje të parave” se gjatë vitit 2019, mjetet financiare të cilat i kishte përfituar nga aktiviteti kriminal, i cili ishte i ndërlidhur me veprat e sipërcituara, e me qëllim që këto para të kundërligjshme të duken si të ligjshme, ka blerë veturë që e ka regjistruar në emër të vëllait.
Ndërsa, të akuzuarit Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini, akuzoheshin se për rivlerësimin e ofertave të operatorëve ekonomikë të paraqitura në tenderin për ndërtimin e Autoudhës së Gjilanit, nuk kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare për të shpallur fitues operatorët ekonomikë që ofertuan çmimin më të ulët, që ishte kriteri kryesor për shpalljen e fituesve. Me këto veprime, ngarkohen se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”.
Gjithnjë sipas PSRK-së, Betim Reçica akuzohet edhe se në cilësinë ushtruesit të detyrës se drejtorit të Prokurimit Publik në MI, me qëllim të përfitimit financiar për kompaninë “Gjoka Konstruktion”, ka ndryshuar raportin e Komisionit rivlerësues dhe e ka shpallur këtë OE të përgjegjshëm përkundër faktit se e ka ditur se nuk i ka plotësuar kushtet ligjore.
Me këto veprime, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”. Detajet nga aktakuza mund t’i gjeni: KËTU.