Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dardan Krasniqi, ka folur për përkujtimin që kryeministri i vendit, Albin Kurti, ia ka bërë ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviq.
Krasniqi tha se në 555 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, e në 41 vjetorin e vrasjes së vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës, është e trishtë pasi sipas tij, në këtë ditë do të duhej të zinin fjalë sakrifica dhe angazhimi i shqiptarëve ndër shekuj për çlirimin e Kosovës.
“Është momenti më i trishtë. Edhe si ushtar i UÇK-së edhe si aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje por edhe si qytetar, në dy momente jam ndjerë shumë i trishtuar. E para kur Thaçi përulej para varrezave për të bërë një analogji dhe momenti i dytë është ky kur kryeministrin e vendit tim nuk do të doja ta shihja në një deklarim të tillë për një person i cili ka vendim të shkallës së parë si i dënuar për krime lufte”, është shprehur Krasniqi në “Info Magazine”.
Tutje, ai tha se video-adresimi i Kurtit për Ivanoviqin e bëri të ndihet edhe më keq duke e pasur parasysh rrugëtimin e tij të përbashkët politik me kreun e qeverisë.
“Ajo çka më bëri të ndihem kaq keq është rrugëtimi ynë politik për atë se për çka jemi angazhuar dhe kemi ngritur shumë zërin rreth asaj se ka çka përfaqësuar Oliver Ivanoviqi. Nëse e marrim qëndrimin tonë si VV në aktivitetet tona të mëhershme dhe sot në këtë deklarim, është një trishtim se cila është e vërteta e kësaj”.
“Është e pashmangshme që në jetën politike, përfaqësuesi i institucioneve të ikin grackës së imitimit. Është një vetëbesim i tepruar që kryeministri s’e ka bërë krye në vete. Shqetësimi im është se nuk e vë fajin e theksin vetëm tek kryeministri”, është shprehur Krasniqi