Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea, deklaroi se mendon që strategjia e KFOR-it për barrikadat në veri është që duhet të hiqen, por që të bëhet hap pas hapi, duke mos provokuar përshkallëzim.
Ai në emisionin “Kallxo Përnime” theksoi se këtë gjë duhet lënë në duart e KFOR-it që të miratojë strategjinë më të arsyeshme.
“Unë mendoj se strategjia e KFOR-it është barrikadat po që duhet të hiqen, por që kjo duhet bërë në një mënyrë të qetë, hap pas hapi, me metoda që nuk i kontribuojnë përshkallëzimit, duke mos provokuar edhe më dhunë, veçanërisht gjatë kësaj periudhe të festave të fundvitit, të Vitit të Ri e të Krishtlindjeve, sepse kjo është më mirë se një lloj shfaqjeje e madhe e forcës e që do të prodhonte vetëm më shumë dhunë, sepse kemi parë këtë mjaftueshëm shumë dhunë deri më tani dhe askush nuk dëshiron të shohë më shumë nga këto ndodhi. Pra, le t’ia lëmë KFOR-it në dorë që të miratojë strategjinë më të arsyeshme që hap pas hapi të bëhet heqja e barrikadave”- ka thënë Shea.
Shea tutje shtoi se nuk duhet t’i japim pretekste Beogradit për të deklaruar se jemi në prag lufte.
Ai shtoi se e di që kjo është zhgënjyese për qytetarët e Kosovës, por kjo metodë sipas tij, është në interes të Kosovës.
“Të mos i japim Beogradit edhe pretekste të tjera për të thënë, siç tha dje kryeministrja e Serbisë, se jemi në prag të luftës. Kjo nuk është e vërtetë, kjo është një gjuhë më se dramatike, kështu që mënyra e qetë dhe e qëllimshme e KFOR-it, siç thashë, është kjo rruga e qetë dhe ajo duhet të ndiqet. Unë e di që kjo është zhgënjyese për qytetarët e Kosovës, por përshkallëzimin e dhunës, rikthimin në binarë të dialogut të Brukselit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ecja përpara, mendoj që këto janë çështjet që janë në interes të Kosovës, je zgjatja e kësaj situate të ngërçit të krijuar në veri”- shtoi më tej Shea.
Jamie Shea po ashtu deklaroi se dje kreu i Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, e cila ka përgjegjësinë e përgjithshme për Kosovën, admirali Stuart Munsch, po qëndron në Beograd për t’u takuar me presidentin Aleksandar Vuçiq.
Ai tha se mendon që ai do t’i kërkojë gjithashtu presidentit Vuçiq që të ndalojë përshkallëzimin e mëtutjeshëm të situatës dhe të bëjë thirrje për qetësi.
Janë bërë 12 ditë që kur rrugët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës që të çojnë në dy pikat kufitare, në Jarinjë dhe Bërnjak, janë të bllokuara.
Vendosja e barrikadave ka filluar më 10 dhjetor 2022, pas arrestimit të ish-zyrtarit policor serb, Dejan Pantiq, i cili dyshohet për kryerje të veprave penale terroriste dhe kundër rendit kushtetues.
Ai dyshohet se organizatoi sulmet e 6 dhjetorit që ndodhën ndaj zyreve të Komisionit Komunal Zgjedhor në veri të Mitrovicës.
Ndaj të njëjtit, me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se KFOR ka kërkuar kohë për largimin e barrikadave.
Ish-zëdhënësi i NATO-së gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea, ka thënë se nuk e priste kërkesën e Serbisë për kthim të trupave në Kosovë marrë parasysh që KFOR e ka përgjegjësinë për siguri sipas Rezolutës 1244 të KS të OKB-së.
“Nuk do ta prisja që kjo kërkesë të vinte sepse KFOR e ka përgjegjësinë për sigurinë në Kosovë sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe që nga qershori i vitit 1999, KFOR e ka bërë atë punë vërtet shumë mirë, pra në ofrimin e mjedisit të sigurt për të gjithë. Pra, nuk ka absolutisht fare nevojë që trupat serbe të kthehen në Kosovë. Kjo nuk do të zgjidhte asnjë problem, por kjo vetëm sa do të përshkallëzonte situatën më tutje”- ka deklaruar Shea.
Ai theksoi se pret që KFOR t’i thotë jo Serbisë lidhur me këtë kërkesë.
“Pres që KFOR, pasi që ta ketë ka studiuar kërkesën e Beogradit, dhe t’i thotë Serbisë “Jo, Faleminderit, ne po e trajtojmë këtë çështje shumë mirë”. KFOR ka shtuar së fundmi prezencën e saj në veri të vendit, veçanërisht si përgjigje ndaj vendosjes së barrikadave dhe për t’u përballur me situatën e krijuar më mirë. Dhe siç thashë, mendoj se Serbia duhet t’ia lërë KFOR-it dhe policisë së BE-së, pra EULEX-it, si dhe autoriteteve të Kosovës që të rivendosin qetësinë në këtë situatë”- shtoi tutje Shea.
Tutje, Shea potencoi se Serbia me anë të kësaj kërkese për kthim të trupave në Kosovë po tenton të japë sinjal politik.