Një e mbijetuar e dhunës seksuale nga lufta e fundit ka ndarë sonte rrëfimin e saj në “Debat Plus” me Ermal Pandurin.
Mes lotësh e me zë të dridhur, e mbijetuara tregon fillimisht për fëmijërinë e saj.
“Derisa i kam bërë 13 vjet, kam qenë sikur të gjithë fëmijët, kemi qenë të lumtur, ndoshta shumë nuk kemi pasur, por me atë që e kemi pasur kemi qenë shumë të kënaqur, kemi ditë me u kënaqë, si me shokë si me shoqe, kemi qenë një rrethinë shumë e lumtur”, tregon ajo, duke rrëfyer se me gjithë shoqërinë ishte shumë e lidhur me vëllanë e saj më të madh, ndërkaq në shkollë ishte fëmijë gazmor, e i pëlqente matematika dhe muzika.
Por, gjithçka ndryshoi me nisjen e luftës. Në moshën 13-vjeçare, jeta e saj mori një kthesë të errët. Ajo rrëfen fillimisht që babai i saj u kthye nga mërgimi porse familja në luftë u nda.
“Po u ndamë si familje se burrat s’guxojshin me ndejtë nëpër shpija”, tregon ajo.
“Kena pasë frikë, qajtje, tmerr ka qenë”, kujton momentet e para të luftës.
Ajo ka treguar edhe momentin tmerruese kur u dhunua nga forcat serbe në moshën 13 vjeçare.
“Atëherë ka qenë tmerr, se erdhën krejt në fytyrë me ngjyra, të ngjyrosura, me kapele në kry, ai moment ka qenë, e kanë marrë gjyshen, e kanë ngre zhag, ia kanë nisë edhe mu më kanë marrë si fëmijë 13 vjeç, kanë luajt me mua, qysh kanë deshtë kanë bë. Ajo ditë për mua ndoshta them shpeshherë kam thënë për vete më mirë me qenë unë e vdekur se që isha në ato momente ashtu…”, tregon teksa nuk mund të përmbahet duke treguar që ia dhunuan edhe gjyshen.
“Në sytë e mijë, e kanë marrë e kanë shqyer me rroba e me krejt gjyshen”, tregon e mbijetuara, duke shtuar se në vendin e njëjtë i futen edhe gra e fëmijë tjerë që po ashtu u dhunuan nga forcat serbe.
“Krejt të përgjakur kemi qenë se kur ka ra automati aty na ranë xhamat e na prenë, gjyshja, ajo mundohej me ma shtrëngu dorën, por nuk na linin as me u bashku se veç tu bërtit, edhe tjerat gra maltretime, piskamë, vuajtje, gjuajtje ka pasë shumë”, rrëfen për “Debat Plus” e mbijetuara e krimeve të tmerrshme të Serbisë.
Ajo u dhunua derisa ushtarët serbë me thikë ia shqyen rrobat.
“Ka pasë edhe fëmijë më të vogla, por në ato momente mua më ra të fikët, ata ia nisën me mua, bënë çka deshën, e kryen procedurën e vet, luajtën me mua qysh deshën, na të përgjaktë, edhe më ka humb vetëdija nuk kam ditë për një moment ku jam”, kujton momentin më të dhimbshëm të jetës së saj.
“Gjyshja thoshte, çika jem u bë çka u bë, u mundonte me më afru si fëmijë afër vetit, por unë e mora traumën, veç tu qajtë e tu u mërzitë nuk dijsha, edhe thoja nuk po du më me jetu, nuk dojsha më me jetu asnjë moment!”, rrëfen e mbijetuara e dhunës seksuale teksa tregon përjetimin pas ndodhisë së tmerrshme.
“Ka qenë shumë, shumë jetë e rëndë, nuk di qysh me thënë më rëndë… Për shembull ndoshta si fëmijë ndoshta s’jemi gëzu me pasë lirinë e të ardhmen përpara, për mua u shemb krejt bota”, tregon ajo.
“Nuk e di, gjyshja, ajo ndoshta ka qenë person që më ka qëndru afër e më ka afru me një fjalë sa ka mujtë, pak që më ka ndejtë gati me ma dhënë ndonjë këshillë, se ndoshta sot nuk isha!”, përfundon ajo rrëfimin tronditës.
E mbijetuara e dhunës seksuale rrëfen për maltretimet që pasi u ndanë me burrat e familjes, i përjetonin gratë e fëmijët.
“Po, po kanë fol serbisht, e krejt vinin me shenja nëpër fytyrë e vinin të ngjyrosur, gjyshen e nënën e neve krejt si fëmijë na kanë rreh, na ngrehnin zhag, maltretime, nuk di qysh njeri në jetë… Më dhimbset nëna shumë e gjyshja ime e ndjera se i kanë maltretu shumë”, rrëfen ajo për tmerrin e përjetuar.
“Veç Zoti po t’i linte mendtë në kry”, përfundon ajo.
E mbijetuara ka treguar tregon momentet si u ballafaqua pas luftës me familjen e saj dhe si e këshilloi gjyshja që ajo çka kishte ndodhur të mbeste mes saj, gjyshes e nënës.
“Nëna shumë rëndë e ka pritë, nëna ka qenë shumë sëmurë, shumë keq, por përjetimin më të rëndë e ka pritë nëna në fëmijën e vet. Unë nuk e di po them qysh jemi gjallë, për shembull ata janë të ndjerë, por unë po foli për vete, mërzinë e gjërat ndonjëherë kur i mendoj e rikujtoj, shembull ballafaqimin qysh kam mujtë me nënën e gjyshja që e ka ditë për mua është shumë shumë rëndë”, rrëfen e mbijetuara e dhunës seksuale.
“Nuk e di hala sot mua nuk më kujtohet si fëmijë me gëzu lirinë apo me pasë një jetë qysh e kanë krejt, unë nuk e kam atë jetë që e kanë krejt edhe ndoshta sot që e gëzon dikush, nuk e kemi”, është deklarata e saj që jetën më asnjëherë që nga 13 vjeçe nuk e kishte të njëjtë.
Këtë e dëshmon edhe situata pas meqenëse nuk arriti të kishte raporte normale as me partnerin, i cili për shkak të mendësisë patriarkale nuk e kuptoi atë dhe nuk i ofroi përkrahje për këtë krim të tmerrshëm që e përjetoi si fëmijë.
“Atë natë e di se kam qëndru aty, të nesërmen më ka thënë shko… Për mua si femër, ndoshta ka edhe shumë femra tjera, por për mua jeta u bë terr, çdoherë kur mendoj për jetën time them s’di qysh kam mujtë me ia dalë ndoshta…”, tregon ajo e pikëlluar.