Ismaili: Kështu i ulë çmimet programi i Bedri Hamzës

Ismaili: Kështu i ulë çmimet programi i Bedri Hamzës

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe i dyti në listën zgjedhore të kësaj partie për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Uran Ismaili, ka vazhduar serinë e videove përmes të cilave u drejtohet qytetarëve, duke shpjeguar pikat kryesore të programit zgjedhor të PDK-së.

Në videon e publikua sot, Ismaili flet për masat konkrete që, sipas tij, do të ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e çmimeve dhe në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, në kuadër të programit të kandidatit për kryeministër, Bedri Hamza.

“Kemi paraparë uljen e TVSH-së në produktet esenciale, ndërsa për shumë prej tyre TVSH-ja do të jetë zero. Po ashtu, do të hiqet TVSH-ja nga faturat e energjisë elektrike. Kjo do të thotë se në fund të muajit qytetarët do të paguajnë më pak për energjinë elektrike”, thotë Ismaili në video.

Ai shton se efektet e këtyre masave nuk do të ndjehen vetëm në faturat familjare, por edhe në çmimet e produkteve dhe shërbimeve në treg. “Kur faturat e energjisë elektrike janë më të ulëta për bizneset tona, atëherë edhe çmimet e produkteve që i blejmë nga ato biznese, apo të shërbimeve që marrim, do të jenë më të ulëta”, thekson ai.

Në fund të videos, Ismaili fton qytetarët që në zgjedhjet e 28 dhjetorit të mbështesin programin e PDK-së dhe Bedri Hamzën për kryeministër. “Më 28 dhjetor, mbështeteni kandidatin që e ka planin, dijen dhe aftësitë për ta ndryshuar jetën tuaj. Votoni PDK 130, Bedri Hamza 1 dhe Uran Ismaili 2. Bashkë. Përpara!”, përfundon Ismaili.

Related Articles