Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, ka thënë se të martën i kanë dërguar letër Bankës Qendrore të Serbisë në të cilën kanë shprehur gatishmërinë për të gjetur zgjidhje për qytetarët serbë të Kosovës, pas vendimit të këtij institucioni për ndalimin e përdorimit të dinarit dhe që euroja të jetë valuta e vetme në Kosovë.
Ismaili ka thënë se në letër kanë përfshirë edhe modele se si të zgjidhet kjo situatë.
“Sot ne i kemi dërguar një letër Bankës Qendrore të Serbisë në të cilën kemi shprehur gatishmërinë tonë për shkak se këta janë qytetarët tanë që t’ju ofrojmë mbështetjen tonë dhe të paraqitemi si ndërmjetës nëse ka nevojë në gjetjen e një zgjidhjeje e cila është më se efikase sa i përket transferit të mjeteve në sistemin bankar të Kosovës në euro. Ekzistojmë tashmë modele të njohura ku në disa prej tyre i kemi shpjeguar në letër. Pra, është çështje e vullnetit dhe gatishmërisë për t’i transferuar mjetet dhe jo çështje e mungesës së mekanizmave, kurse kur nuk do me zgjedh një problem mund të gjenden sado arsye – ne duam me zgjedh problemin dhe s’kemi pasur asnjë qëllim krijimin e vështirësive”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së.
Në letër, siç thotë guvernatori i BQK-së, kanë ofruar zgjidhje që Serbia të transferojë mjetet në llogaritë bankare të serbëve pa asnjë ndryshim apo kërkesë shtesë.
“Ne këtë letër e kemi dërgu për të ofruar zgjidhje edhe më efikase, jo se nuk ka zgjidhje. Pra, zgjidhjet edhe sot janë pa asnjë ndryshim, pa asnjë kërkesë dhe ndryshim të legjislacionit është e mundur që nga Serbia të transferohen mjete në llogaritë bankare të qytetarëve tanë, pa asnjë afat shtesë dhe kjo besoj që ndodh në aspekte tregtare për çdo ditë. Në letrën që ne kemi dërguar, ne kemi dashur që edhe të lehtësojmë këtë proces, pra të jetë më pak i kushtueshëm dhe më efikas. Pra, një lloj moduli që në mënyrë masive kryhen këto pagesa duke respektuar transferin ndërshtetëror”, ka shtuar ai.
Ismaili ka thënë se presin nga Banka Qendrore e Serbisë të dëshmohet se është e pavarur, pavarësisht se “komunikimet formale me ta kanë qenë shumë të mangëta, kryesisht kanë qenë takime për klient personal”.
“Presim që Banka Qendrore e Serbisë të dëshmojë vetën se është institucion i pavarur, të angazhohet me Bankën Qendrore të Kosovës në të mirë të qytetarëve tonë dhe bashkëkombësve të tyre që të mos shërbejnë si pengesë në gjetjen e zgjidhjes, por të ndihmojnë që të njëjtit të integrohen në sistemin financiar të Kosovës”, ka thënë tutje ai.
“Në bazë të të dhënave tona rezulton që mbi 40 mijë qytetarë serbë kanë llogari bankare në Kosovë, nuk e dimë edhe sa nuk kanë sepse siç ju thash janë të privuar nga e drejta për të qenë pjesë e sistemit financiar, por ekziston mundësia që të pajisjen me një llogari bankare dhe është plotësisht e mundshme që pa asnjë ndryshim ligji ata të pranojnë financim nga Serbia. Nuk është ndalu e drejta e posedimit të asnjë valute përfshirë dinarin, serbët kanë të drejtë të kenë dinarë në xhepin e tyre, kanë të drejtë t’i konvertojnë në këmbimore të licencuara. Por, instrument i pagesave është euroja”, ka deklaruar Ismaili.