Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe i dyti në listën zgjedhore për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Uran Ismaili, në kuadër të aktiviteteve zgjedhore ka vizituar Ferizajin, ku ka theksuar nevojën e madhe që ky qytet ka për një spital modern dhe funksional.
Ismaili tha se ndërtimi i Spitalit të Ferizajt ka nisur në vitin 2018, në kohën kur ai ishte ministër i Shëndetësisë, por që deri më sot nuk është përfunduar, ndonëse qyteti ka nevojë të madhe për një spital modern.
“Jemi këtu para ndërtesës së Spitalit të Ferizajit, një ndërtesë e cila është filluar në vitin 2018 sa kam qenë unë ministër i Shëndetësisë dhe, siç e shihni, ende nuk është përfunduar. Ferizaj ka tepër nevojë për një spital modern, por asgjë nuk është bërë në atë drejtim”, u shpreh Ismaili.
Ai foli edhe për situatën e Spitalit të Prishtinës, duke theksuar se projekti për këtë spital ishte përgatitur dhe dorëzuar, por nuk është ndërmarrë asnjë hap për ndërtimin e tij.
“Edhe spitali i Prishtinës e ka pasur një fat edhe më të keq. Edhe pse unë e kam bërë projektin dhe ia kam dorëzuar qeverisë së atëhershme, nuk është bërë asnjë hap në ndërtimin e spitalit të Prishtinës, ndonëse Prishtina ka tepër nevojë për të”, tha ai.
Sipas Ismailit, infrastruktura spitalore në Kosovë ka nevojë për modernizim të plotë, ndërsa shëndetësia do të jetë prioritet i qeverisë së ardhshme të udhëhequr nga Bedri Hamza.
“Me qeverinë e Bedri Hamzës, spitalet e Ferizajt dhe të Prishtinës do të përfundojnë. Shërbimet shëndetësore duhet të ofrohen në spitale moderne dhe qytetarët duhet të kenë sigurime shëndetësore, në mënyrë që shpenzimet e mëdha që i paguajnë sot për shëndetësi të mbulohen përmes sigurimeve”, theksoi Ismaili.
