Ismajli i LDK-së: Kandidatët e tjerë i respektojë, besoj në garë të ndershme

Ismajli i LDK-së: Kandidatët e tjerë i respektojë, besoj në garë të ndershme
Edhe pse data e zgjedhjeve lokale nuk është caktuar ende, presidentja Vjosa Osmani pritet që që pas dy ditëve të trajtojë këtë çështje.
Osmani do të takohet me përfaqësuesit partiak nga ku do të flitet për datën e mundshme të zgjedhjeve, që i bie të jetë fundi i tetorit apo dy te dielet e para të nëntorit.

Tanimë përgatitjet e terrenit për zgjedhjet lokale veçse kanë nisur. E garë e vështirë për t’u fituar do jetë dhe në një prej komunave më të mëdha- atë të Gjilanit.

Gjilani për disa vite u udhëhoq nga kryetari Qemajl Mustafa nga radhët e PDK-së, më pas nga Lutfi Haziri i LDK-së e së fundi nga Alban Hyseni i Lëvizjes Vetëvendosje.

Por ka disa ditë që është zyrtare fakti se Lutfi Haziri nuk do të jetë kandidat i LDK-së për kryetar të Gjilanit.

Haziri zyrtarisht ka vendosur ka vendosur që ta lirojë vendin për dikë tjetër.

Ishte vetë Lufti Haziri që njoftoi se kandidat për zgjedhjet e reja lokale në Kosovën për Gjilanin nga radhët e LDK-së do të jetë Arbër Ismajli.

Ismajlit i besohet kjo detyrë nga LDK pasi konsiderohet të jetë gjeneratë e artë e familjes se tyre politike.

Ismajli fillimisht tha për lajmi.net se e pret një proces zgjedhor të rregullt dhe u zotua se do të ofrojë një qeverisje që buron nga nevoja reale e qytetarëve.

“Pres një proces zgjedhor të rregullt, të drejtë dhe me integritet demokratik, ku qytetarët e Gjilanit do ta japin verdiktin e tyre për drejtimin që duan t’i japin komunës në vitet e ardhshme. Kam bindjen se ky është një moment i rëndësishëm për të kthyer besimin e qytetarëve në institucionet komunale dhe për të ofruar një qeverisje që buron nga nevoja reale e qytetarëve, e jo vetëm nga interesat e pushtetarëve të sodit”, tha ai.

Tutje ai foli edhe për përkrahjen që ai si kandidat shpreson se do ta merr nga qytetarët e Gjilanit.

“Përkrahja që po më jepet nga qytetarët është e ndjeshme dhe në rritje të vazhdueshme. Kam zhvilluar takime të shumta me qytetarë të të gjitha moshave, me profesionistë të fushave të ndryshme, me të rinj dhe me përfaqësues të bizneseve, dhe nga të gjithë po marr sinjale të forta që kërkohet një model i ri udhëheqës, një frymë e re në qeverisje, me përkushtim të sinqertë dhe me vizion të qartë. Në këtë drejtim, jam i bindur se do të kemi përkrahje të gjerë”.
Ismajli tutje tregoi edhe për planet e tij me Gjilani nëse merr udhëheqjen për katër vite.

Ai u shpreh se fokusi do të jetë Zhvillimi ekonomik lokal.

“Plani im zhvillimor për Gjilanin është i ndërtuar mbi disa analiza konkrete të cilat do t’i konkretizojë më vonë, konsultime të gjera dhe mbi parime të qarta të qeverisjes së mirë.
Fokusi do të jetë: Zhvillimi ekonomik lokal – me mbështetje të drejtpërdrejtë për ndërmarrjet vendore, bujqësinë, dhe krijimin e kushteve për investime të reja. Arsimi dhe rinia – investim në shkolla moderne, mbështetje për arsim profesional dhe krijimi i hapësirave për zhvillimin personal dhe profesional të të rinjve. Shërbime publike efikase – një administratë komunale më transparente, më digjitale dhe më pranë qytetarit. Zhvillim urban e infrastrukturor – me plane konkrete për rregullimin e infrastrukturës rrugore, të transportit publik dhe përmirësimin e hapësirave publike. Shëndetësi dhe mirëqenie sociale – me përkushtim për të rritur qasjen dhe cilësinë e shërbimeve për të gjithë qytetarët, veçanërisht për kategoritë më të ndjeshme”, u shpreh ai.

Ismajli tha se LDK në Gjilan është forca kryesore pasi janë shumicë në Kuvend, sipas tij qëllimi është puna e ndershme dhe me staf i përgatitur.

“Aktualisht, ne jemi forca kryesore në Gjilan sepse kemi shumicën në Kuvendin Komunal dhe LDK ka një histori të gjatë dhe të lavdishme në Gjilan dhe në të gjithë vendin. E ka udhëhequr këtë komunë me dinjitet dhe përgjegjësi për shumë vite. Qëllimi ynë është që me punë të ndershme, me ide të reja dhe me një ekip të përgatitur, t’ia rikthejmë qytetarëve atë model të qeverisjes që bazohet në përgjegjësi publike, integritet dhe rezultate konkrete. Jo vetëm që LDK do të rikthehet, por do të jetë forca udhëheqëse në ndërtimin e një Gjilani më të zhvilluar”, tha ai.

Ai tha se kandidatët e tjerë i respketon dhe se në fund të ditës, qytetari është ai që vendos, dhe është detyrë e tyre që t’i shërbejmë me përkushtim.

“Kandidatët e tjerë i respektoj si pjesë të procesit demokratik. Unë besoj në një garë të ndershme, ku fokusi të jetë tek idetë, programet dhe vizioni për të ardhmen, jo tek sulmet personale apo retorikat boshe. Çdo kandidat ka përgjegjësi para qytetarëve të sillet me maturi dhe dinjitet. Le të jetë kjo një garë që ngritë kulturën politike dhe jo një që e përçan shoqërinë. Në fund të ditës, qytetari është ai që vendos, dhe është detyrë e jona që ta dëgjojmë dhe t’i shërbejmë me përkushtim”, tregoi Ismajli.

Tashmë janë publikuar edhe disa data të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve e bëhet fjalë për datën 5 tetor, 15 tetor, 19 tetor, 26 tetor, 2 nëntor, 9 nëntor dhe 16 nëntor.

Related Articles