Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, është deklaruar hapur rreth mosdekretimit të tij si Kryeprokuror i Shtetit, duke komentuar zërat publikë se arsye për këtë vendim mund të jetë tërheqja e urdhër-arrestit për Milan Radoiçiqin në vitin 2021.
Në një intervistë për “KallxoPërnime”, ai tha se nuk e di arsyen pse nuk është dekretuar, por se nëse tërheqja e urdhër-arrestit është një prej arsyeve, atëherë sipas tij “kjo nuk duhet me qenë arsyeja”.
“Unë mendoj që këtu nuk ka arsye hiç. Nëse kjo është arsyeja, kjo nuk duhet me qenë arsyeje. Por të jeni të sigurt se unë arsyet nuk i di për mosdekretim” – deklaroi Isufaj.
Pasi u përmend fakti që kryeministri në detyrë Albin Kurti ka deklaruar në Kuvend se nuk i beson Isufajt, bashkë me Presidenten Vjosa Osmani dhe ish-kryeparlamentarin Glauk Konjufca, ai u përgjigj qartë duke thënë se nuk i prishë punë kjo gjë.
“Ata kanë thanë që s’më duan, edhe mirë që nuk m’dojnë. Nuk prishë punë. Nuk e di pse nuk më duan, pyetni ata.”
Blerim Isufaj u shpreh i vendosur për integritetin e tij personal dhe profesional.
“Shiko… kurrë në jetën time, më para e pranoj vdekjen se poshtërimin. As edhe një lidhje me Radoiçiqin e as Radoiçiqët kurrë në jetë, as mirëdita as dobar dan. Unë i ftoj të gjitha institucionet e Kosovës që kush ka argument për mua në këtë drejtim të i prezantoj, por nuk ka çka me prezantu sepse kurrkush nuk e di më mirë se unë punën time për veten time.”
Isufaj u shpreh i habitur se si mund të jetë në krye të Prokurorisë Speciale, kurse nuk bën për kryeprokuror të shtetit.
“Duhet me ditë krejt opinioni një gjë – integriteti është një, nuk është dy e as tre, integriteti ose ekziston ose nuk ekziston. Nëse ekziston, unë e plotësoj atë kusht. Nëse nuk ekziston tek unë, unë nuk duhet të jem as kryeprokuror i Prokurorisë Speciale”- tha ai.
Kryeprokurori i Speciales, tha se nuk flet me presidenten Vjosa Osmani e as me kryeministrin në detyrë Albin Kurti.