Kabineti qeveritar italian të hënën miratoi një dekret për t’i vazhduar ndihmat ushtarake për Ukrainën edhe gjatë vitit 2026, duke i dhënë vulë një kompromisi të koalicionit pas disa javësh debat që i shpërfaqi përçarjet rreth politikës së jashtme brenda qeverisë së kryeministres Giorgia Meloni.
Marrëveshja erdhi pas kërcënimeve të partisë së të djathtës ekstreme, Lidhja, e cila kishte lidhje të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin, para fillimit të luftës në Ukrainë më 2022, se do të abstenonte për këtë masë dhe rrjedhimisht do të thelloheshin grindjet për qëndrimin e Italisë ndaj luftës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Kryetari i partisë Lidhja, Matteo Salvini, i cili gjithashtu shërben si zëvendëskryeministër i Italisë, kishte argumentuar se ndarja e ndihmave ushtarake shtesë për Ukrainën do të mund ta nxiste korrupsionin në Kiev dhe nuk do të ndihmonte për t’i dhënë fund luftës. Kritikët e kishin akuzuar se po e promovonte agjendën e Putinit.
Dekreti i ri është i ngjashëm me ligjet e miratuara gjatë tri viteve të kaluara, duke deklaruar se Qeveria do të transferojë në Ukrainë automjete, material dhe pajisje ushtarake.
Megjithatë, partia Lidhja tha se, ndryshe nga teksti i vitit 2025, në dekretin e ri thuhet se prioritet do t’u jepet produkteve të logjistikës dhe mjekësisë për përdorim civil si dhe pajisjeve që nevojiten për mbrojtje nga sulmet raketore, kibernetike dhe me dronë.
Zyra e kryeministres Meloni nuk e publikoi menjëherë tekstin e dekretit.
Ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, i cili e drejton partinë Forza Italia, e mirëpriti projektligjin e ri, i cili duhet të miratohet nga Kuvendi brenda dy muajve.
“Është një dekret absolutisht i baraspeshuar, njësoj si të mëparshmit. Italia do të vazhdojë që ta përkrahë Ukrainën ushtarakisht, ekonomikisht, financiarisht dhe politikisht” – citohet të ketë thënë kryediplomati italian, sipas gazetës “Corriere della Sera”.
