Një shtetas italian rezultoi pozitiv për linë e majmunit, COVID-19 dhe HIV njëkohësisht, thanë studiuesit.
Personi kishte rezultuar pozitiv për të treja infeksionet pas një udhëtimi pesë-ditor në Spanjë, raportoi “BNO News”.
36-vjeçari vuante nga ethet, dhimbje fyti, lodhje, dhimbje koke dhe inflamacion në zonën e ijeve të trupit.
Ai i shfaqi të gjitha simptomat nëntë ditë pasi u kthye nga një udhëtim i shkurtër në Spanjë, ku thuhet se u përfshi seksualisht me burra pa përdorur mbrojtje.
Sipas një raporti të publikuar në “Journal of Infection”, italiani rezultoi pozitiv për COVID-19 tre ditë pasi kishte përjetuar simptoma.
Ai pati një skuqje në krahun e majtë pasi doli pozitiv për COVID-19. Në trupin e burrit u shfaqën edhe flluska në ditët në vijim.
Pasi përjetoi këto simptoma, pacienti shkoi në spitalin e Catania-s për trajtim dhe rezultoi pozitiv për linë e majmunit, COVID-19 dhe HIV në një seri testesh.
Testi HIV tregoi se ai kishte një ngarkesë të lartë virale.
36-vjeçari doli nga spitali pas rreth një jave dhe u shërua nga lija e majmunëve dhe Coronavirus-i.
Studiuesit nga Universiteti i Catania-s thanë se rasti tregon se si simptomat e lisë së majmunëve dhe COVID-19 “mund të mbivendosen” dhe konfirmon se si “bashkëinfeksioni, mbledhja anamnestike dhe zakonet seksuale” janë të rëndësishme për diagnostikimin.
Ata sugjeruan që sistemet e kujdesit shëndetësor duhet të përgatiten për këtë eventualitet pasi rastet e COVID-19 dhe lisë së majmunëve vazhdojnë të rriten.