Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq të cilët u dënuan me nga 15 vjet burgim për dhunë seksuale gjatë luftës, raporton Gazeta “Enigma”.
Haxhiu përmes një postimi në profilin e saj në Facebook ka thënë se “ky vendim përbën një hap të rëndësishëm drejt drejtësisë për viktimat dhe ndëshkimit të autorëve të krimeve”.
“Gjatë këtij mandati qeverisës jemi angazhuar pandërprerë për të adresuar institucionalisht krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë”, ka shkruar ajo.
Tutje Haxhiu ka theksuar se “ërballë refuzimit të Serbisë për të dorëzuar në Kosovë kriminelët e luftës, gjatë kohës sa ishim në opozitë, kemi ndërmarrë ndryshime ligjore që mundësojnë gjykimin në mungesë ndërsa si Qeveri, përveç tjerash, i kemi eliminuar të gjitha pengesat me qëllim të zbatimit të plotë të ndryshimeve që ndërlidheshin me gjykimin në mungesë”.
“Tashmë, këto ndryshime janë duke u zbatuar. Kriminelët po strehohen në Serbi, por ata kanë emra dhe mbiemra, dhe do të shpallen kriminelë lufte, një nga një, edhe përmes vendimeve gjyqësore”, ka përfunduar Haxhiu. /Gazeta Enigma/