Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka propozuar Qeveri të Unitetit si zgjedhje për të dalë nga ngërçi institucional ku është futur vendi.
Abdixhiku ka shpalosur sot në një konferencë për media planin prej 15 pikash.
“Le të ulemi le të merremi me çështje praktike, le të merremi me këto 15 pika. Unë kam shtrirë dorën e bashkëpunimit, jo për koalicion qeverisës por për kapërcimin e kësaj çështje nëpërmjet qeverisë se unitetit”, tha Abdixhiku.
Në lidhje me propozimin e Abdixhikut kanë folur nga Nisma Socialdemokrate.
Deputetja e kësaj partie, Xhevahire Izmaku, tha se qytetarët nuk kanë nevojë për lëvizje që duken mirë në sy të opinionit, por për veprime të thella që rikthejnë besimin në sistem.
“Kosova është në një gjendje të rëndë institucionale dhe me demokraci të lënduar.Në këtë situatë, qytetarët nuk kanë nevojë për lëvizje që duken mirë në sy të opinionit, por për veprime të thella që rikthejnë besimin në sistem” tha Izmaku.
Izmaku tha se subjektet e mëdha politike kanë obligime që shkojnë përtej imazhit apo kalkulimeve momentale.
Ajo tha se do të donte që ‘LDK-ja të vepronte tamam siç e ka emrin’.
“Subjektet e mëdha politike kanë obligime që shkojnë përtej imazhit apo kalkulimeve momentale – ato duhet të tregojnë pjekuri shtetformuese.Unë do të doja që LDK-ja të vepronte tamam siç e ka emrin: një lidhje që tejkalon egon partiake dhe angazhohet sinqerisht për tejkalimin e krizës, jo për të menaxhuar atë” tha Izmaku në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.
Dje ka dështuar për herë të 30-të të konstituohet Kuvendi i Kosovës
Propozimi për kryetar Kuvendi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, s’ka arritur as pas 30 tentativash që t’i marrë votat e nevojshme.
Partia që ka dalë e para në zgjedhje, LVV-ja, ka propozuar votim të fshehtë për kryekuvendarin, propozim i cili s’po gjen mbështetjen e partive të tjera.