Izolohet baza ushtarake ku mbahen aeroplanët me të cilët udhëton Scholzi në Gjermani, dyshohet për sabotim

Izolohet baza ushtarake ku mbahen aeroplanët me të cilët udhëton Scholzi në Gjermani, dyshohet për sabotim

Një bazë ushtarake gjermane afër aeroportit të Këlnit është izoluar dhe mijëra ushtarë që ndodhen në të janë këshilluar që të mos pinë ujë të çezmës, pasi autoritetet po e hetojnë atë që mund të jetë akt sabotimi, tha të mërkurën një burim i sigurisë.

Uji në këtë bazë, që ka 4.300 ushtarë e 1.200 punëtorë civilë, mund të jetë kontaminuar, pasi dikush u fut në hapësirat e bazës, shtoi burimi, duke konfirmuar një raport të revistës “Spiegel”, raporton agjencia “Reuter”.

Këshilla për të mos pirë ujë të çezmës u dha si masë parandaluese, përderisa policia, policia ushtarake dhe agjencia e inteligjencës ushtarake po e hetonin sabotimin e dyshimtë kundër forcave gjermane, shtoi burimi.

Baza në Këln-Wahn e strehon flotën e aeroplanëve ushtarakë që përdoren për udhëtime nga kancelari Olaf Scholz dhe ministrat e tij.

Një zëdhënës i Komandës Territoriale në Berlin konfirmoi se baza ishte izoluar, por refuzoi që të jepte hollësi.

“Ne i kemi arsyet tona për këtë veprim dhe ne e marrim rastin seriozisht” – tha ai.

Related Articles