Izraeli dhe Hamasi arrijnë marrëveshje për armëpushim

Izraeli dhe Hamasi arrijnë marrëveshje për armëpushim

Izraeli dhe Hamasi kanë arritur marrëveshje të mërkurën për ndaljen e luftimeve në Rripin e Gazës dhe për këmbimin e pengjeve izraelite me të burgosur palestinezë, raportojnë Associated Press, BBC dhe Reuters.

Arritja e marrëveshjes do t’i hapte rrugën përfundimit të luftës mbi njëvjeçare në Gazë, e cila e ka trazuar Lindjen e Mesme.

Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se marrëveshja për armëpushim me Hamasin nuk është arritur ende dhe se është duke u vendosur për hollësitë e fundit të saj.

Hamasi – i cili është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – nuk është deklaruar ende.

Në një komunikatë, ajo tha se shpreson se “hollësitë do të zgjidhen në orët në vijim”.

Marrëveshja parasheh lirimin në faza të dhjetëra pengjeve të mbajtur nga Hamasi, lirimin e qindra të burgosurve palestinezë në Izrael dhe mundëson që qindra mijëra njerëz të zhvendosur në Gazë të kthehen në atë që ka mbetur nga shtëpitë e tyre. Po ashtu, ajo do të mundësojë dërgimin e ndihmave humanitare tepër të nevojshme në territorin e shkatërruar palestinez.

Kjo marrëveshje duhet të miratohet nga kabineti i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, por pritet të hyjë në fuqi në ditët në vijim.

Marrëveshja parasheh ndaljen e fillestare të luftimeve për gjashtë javë, dhe pastaj të hapen bisedime për t’i dhënë fund luftës plotësisht.

Gjatë këtyre gjashtë javëve, 33 nga gati 100 pengjet do të ribashkohen me të dashurit e tyre duke u liruar nga robëria disamujore, megjithëse mbetet e paqartë nëse të gjithë janë ende gjallë.

Mbetet e paqartë se kur dhe sa prej palestinezëve të zhvendosur do të jenë në gjendje të kthehen në atë që ka mbetur nga shtëpitë e tyre dhe nëse marrëveshja do të çojë në një fund të plotë të luftës dhe tërheqjen e plotë të trupave izraelite nga Gaza, e cila është kërkesa kyçe e Hamasit për lirimin e të gjithë pengjeve të mbetur.

Ende mbeten shumë pyetje për Gazën pas luftës, duke përfshirë se kush do ta qeverisë territorin ose do ta mbikëqyrë detyrën e vështirë të rindërtimit.

Megjithatë, kjo marrëveshje ofroi shenjën e parë të shpresës pas muajsh që Izraeli dhe Hamasi mund të jenë drejt përfundimit të luftës më vdekjeprurëse dhe shkatërrimtare ndërmjet veti ndonjëherë, një konflikt që ka trazuar Lindjen e Mesme dhe ka nxitur protesta në mbarë botën.

Lufta në Gazë filloi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi thyen mbrojtjet kufitare dhe u futën në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyen rreth 250 të tjerë.

Rreth 100 pengje janë ende brenda Gazës, dhe besohet se një e treta e tyre janë të vdekur.

Prej atëherë, lufta e Izraelit i ka vrarë mbi 46.000 palestinezë në Gazë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Hamasit është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Marrëveshja pason muaj negociatash me ndërprerje, të cilat u ndërmjetësuan nga Egjipti dhe Katari, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, dhe u arrit pak para inaugurimit të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, më 20 janar.

Në prag të marrjes së detyrës zyrtarisht, Trumpi e ka përsëritur kërkesën e tij që marrëveshja të arrihet shpejt, duke paralajmëruar vazhdimisht se do të kishte “pasoja të rënda” nëse pengjet nuk do të liroheshin.

I dërguari i tij për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, bashkëpunoi me ekipin e presidentit në shkuarje, Joe Biden, për ta finalizuar marrëveshjen.

Në Izrael, kthimi i pengjeve mund të lehtësojë një pjesë të zemërimit publik ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe Qeverisë së tij të djathtë për dështimin e sigurisë më 7 tetor, që çoi në ditën më të përgjakshme në historinë e vendit.

Konflikti u përhap në të gjithë Lindjen e Mesme, me sulme ndaj Izraelit nga grupet e mbështetura nga Irani në Liban, Irak dhe Jemen, si shenjë solidariteti me palestinezët. Marrëveshja u arrit pasi Izraeli vrau drejtuesit kryesorë të Hamasit dhe grupit libanez, Hezbollah, duke siguruar një epërsi strategjike.

Related Articles