Izraeli dhe Irani vazhdojnë me hedhje raketash për ditën e tretë radhazi

Izraeli dhe Irani vazhdojnë me hedhje raketash për ditën e tretë radhazi

Izraeli kreu bombardime në të gjithë Iranin për të tretën ditë radhazi të dielën dhe kërcënoi se do të përdorë forcë edhe më të madhe, ndërsa disa raketa iraniane i shpëtuan mbrojtjes ajrore izraelite dhe goditën ndërtesa në zemër të vendit, duke i vrarë dhjetëra njerëz.

Rajoni është duke u përgatitur për një konflikt të zgjatur pas bombardimeve të papritura të Izraelit ndaj objekteve bërthamore dhe ushtarake të Iranit të premten, ku u vranë disa gjeneralë dhe shkencëtarë të lartë bërthamorë.

Prej të premtes, as Izraeli e as Iranit nuk po tregojnë shenja zmbrapsjeje.

Të dielën pasdite, ushtria izraelite, përmes një postimi në rrjetet sociale, paralajmëroi iranianët të largohen nga fabrikat e armëve, duke lënët të kuptohet se do ta zgjerojë fushatën e bombardimeve.

Izraeli, i vetmi shtet — megjithëse i padeklaruar zyrtarisht — me armë bërthamore në Lindjen e Mesme, tha se e nisi sulmin për të parandaluar Iranin nga zhvillimi i një arme bërthamore.

Kryeqyteti i Iranit, Teherani u trondit nga shpërthime rreth mesditës dhe më pas sërish rreth orës 15:30 të dielën. Agjenci gjysmëzyrtare, të afërta me Gardën Revolucionare të Iranit, raportuan për një sulm në zonën e sheshit Vali-e Asr në qendër të qytetit dhe një tjetër në një lagje ku ndodhet selia e forcave ajrore.

Sirenat ranë në pjesën më të madhe të Izraelit sërish rreth orës 16:00 të dielën, duke paralajmëruar për sulme ajrore nga Irani gjatë ditës. Prej së filluan luftimet, Irani ka kryer sulme vetëm natën. Nuk pati raportime të menjëhershme për viktima.

Irani tha se Izraeli goditi dy rafineri nafte, duke ngritur shqetësime për një sulm më të gjerë ndaj industrisë së energjisë iraniane, gjë që mund të ndikojë në tregjet globale.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shprehu mbështetje të plotë për veprimet e Izraelit, duke paralajmëruar Iranin se mund t’i shmangë shkatërrimet e mëtejshme vetëm duke pranuar një marrëveshje të re për programin e vet bërthamor.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha të dielën se nëse sulmet izraelite ndaj Iranit ndalojnë, “atëherë edhe përgjigjet tona do të ndalen”.

Related Articles