Izraeli ka nisur një operacion ushtarak të gjerë kundër Iranit, duke shënjestruar “dhjetëra” objektiva strategjike, përfshirë objekte bërthamore si kompleksi i pasurimit të uraniumit në Natanz dhe seli të Gardës Revolucionare në Teheran.
Sulmi, i koduar me emrin “Rising Lion”, u njoftua nga kryeministri Benjamin Netanyahu, i cili paralajmëroi se operacioni do të jetë i gjatë dhe i vështirë.
Netanyahu deklaroi se qëllimi i ofensivës është “zvogëlimi i kërcënimit iranian ndaj mbijetesës së Izraelit”, duke shtuar se qytetarët izraelitë duhet të jenë të përgatitur të qëndrojnë në zona të mbrojtura për periudha të zgjatura.
Sipas një zëdhënësi ushtarak izraelit, më shumë se 100 dronë iranianë janë nisur drejt Izraelit si pjesë e një kundërpërgjigjeje të mundshme, ndërsa forcat e mbrojtjes ajrore izraelite janë në gjendje gatishmërie të lartë. Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, shpalli “gjendje të veçantë” në vend dhe paralajmëroi për hakmarrje iraniane, raporton Axios.
Sipas mediave iraniane dhe burimeve ndërkombëtare si Reuters dhe Axios, në sulme janë vrarë dy figura të larta të Iranit: Hossein Salami, komandant i Gardës Revolucionare, dhe Gjeneral Mohammad Bagheri, shefi i shtabit të forcave të armatosura iraniane.
Një raport i publikuar nga Axios zbulon se Izraeli kishte përgatitur këtë ofensivë prej kohësh, edhe gjatë kohës kur ish-Presidenti amerikan Donald Trump kërkonte marrëveshje bërthamore me Iranin. Sipas burimeve izraelite, sulmi kishte marrë miratimin e heshtur të Uashingtonit, pavarësisht qëndrimeve publike të kujdesshme të administratës së atëhershme amerikane.
Ndërkohë, aeroporti Ben Gurion në Tel Aviv është mbyllur, dhe pritet që tensionet në rajon të përshkallëzohen më tej në orët dhe ditët në vijim. Guardia Revolucionare iraniane ka premtuar se Izraeli “do të paguajë një çmim të lartë” për këtë ofensivë.