Izraeli ka shkatërruar më shumë se 1.500 ndërtesa në zonat e Gazës që kanë mbetur nën kontrollin e forcave izraelite që nga fillimi i armëpushimit me Hamasin më 10 tetor, sipas pamjeve satelitore të analizuara nga “BBC Verify”.
Fotografitë e reja – më të fundit të shkrepura më 8 nëntor – tregojnë se lagje të tëra që janë nën kontrollin e ushtrisë izraelite janë bërë rrafsh me tokën për më pak se një muaj, me gjasë përmes demolimeve, raporton televizioni publik britanik.
Numri i vërtetë i ndërtesave të shkatërruara mund të jetë dukshëm më i lartë, pasi pamjet satelitore të disa zonave nuk kanë qenë të qasshme për t’u vlerësuar nga programi “BBC Verify”.
Disa ekspertë kanë argumentuar se demolomi i këtyre ndërtesave mund të përbëjë shkelje të armëpushimit të ndërmjetësuar nga ShBA-ja, Egjipti, Katari dhe Turqia. Megjithatë, një zëdhënës i ushtrisë izraelite i tha programit “BBC Verify” se forcat e saj po veprojnë “në pajtim me kornizën e armëpushimit”.
Në planin e paqes të presidentit amerikan, Donald Trump, me 20 pika për Gazën – që është bazë e armëpushimit – thuhet se “të gjitha operacionet ushtarake, përfshirë bombardimin ajror e me artileri, do të pezullohen”. Kreu i Shtëpisë së Bardhë më pas disa herë ka deklaruar se “lufta ka marrë fund”.
