Izraeli lejon marshin nëpër Këndin Mysliman në Jerusalem, priten tensione

Izraeli lejon marshin nëpër Këndin Mysliman në Jerusalem, priten tensione

Qeveria në largim e Izraelit i ka dhënë dritën e gjelbër një marshi të nacionalistëve religjiozë, i cili ishte anuluar nga organizatorët nga frika se mund të nxisë valë të re të konfliktit me palestinezët.

Marshi me flamuj nëpër Këndin Mysliman të Jerusalemit fillimisht ishte planifikuar të mbahej të enjten, por policia e kishte refuzuar rrugën nëpër të cilën do të kalonin pjesëmarrësit. Marshi tani do të mbahet të martën e ardhshme, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Hamasi, lëvizja islamike që e kontrollon Gazën, ka kërcënuar me eskalim të mëtejmë të situatës, nëse ky marsh do të ndodhë.

Së paku 242 persona u vranë në Gaza dhe 13 të tjerë në Izrael gjatë luftimeve që zgjatën 11 ditë muajin e kaluar.

Kabineti i kryeministrit në largim të Izraelit, Benjamin Netanyahu, e lëshoi vendimin për lejimin e marshit pas një takimi që e pati të martën.

Ndryshe, Kuvendi i Izraelit pritet që të dielën ta votojë qeverinë e re. Netanyahu, kryeministri me pushtetin më të gjatë në histori të vendit, përballet me rënien në opozitë, nëse koalicioni i ri i merr votat e nevojshme të deputetëve në fundjavë.

Related Articles