Në kohën kur zemërimi ndërkombëtar sa vjen e rritet për shkak të urisë dhe krizës humanitare në Gaza, Izraeli ka shpallur një “pauzë taktike” 10-orëshe në disa zona të territorit palestinez.
Sipas një deklarate të Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF), të dielën, kjo pauzë do të shërbejë për të mundësuar shpërndarjen më të sigurt të ndihmës humanitare.
“Për të rritur shkallën e ndihmës humanitare që hyn në Rripin e Gazës, do të bëhet një pauzë taktike lokale në aktivitetin ushtarak për qëllime humanitare”, thanë Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) në një deklaratë të dielën, raporton CNN.
Zona e pezulluar nga operacionet përfshin Al-Mawasi, Deir al-Balah dhe një pjesë të Qytetit të Gazës.
Sipas IDF-së, pauza do të nisë çdo ditë nga ora 10:00 deri në 20:00 dhe do të vazhdojë “deri në njoftim të mëtejshëm”.
Po ashtu, janë caktuar edhe “rrugë të sigurta” nga ora 6:00 deri në 23:00, për të ndihmuar konvojet e OKB-së dhe organizatave të tjera humanitare në shpërndarjen e ushqimeve dhe barnave në territorin e rrethuar.
“IDF do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet humanitare së bashku me manovrimet e vazhdueshme dhe operacionet ofensive kundër organizatave terroriste në Rripin e Gazës, me qëllim mbrojtjen e civilëve izraelitë”, tha IDF, duke shtuar se është e përgatitur të zgjerojë shkallën e aktivitetit sipas nevojës.
Ndërkohë, një hartë e shpërndarë nga ushtria izraelite e përshkruan pjesën më të madhe të Gazës si “zonë të rrezikshme luftimi”, ndërsa zona përgjatë bregdetit të Mesdheut është shënuar si e pezulluar nga operacionet ushtarake.