Kabineti i sigurisë i Izraelit ka miratuar ndërtimin e 19 vendbanimeve të reja në Bregun e okupuar Perëndimor, një lëvizje që sipas ministrit izraelit të Financave synon të ndalojë themelimin e një shteti palestinez.
Vendimi bën që numri i përgjithshëm i vendbanimeve të miratuara në tre vjetët e fundit të arrijë në 69, sipas ministrit të ekstremit të djathtë që udhëheq Ministrinë e Financave të Izraelit, Bezalel Smotrich.
Ky vendim po ashtu vjen disa ditë pasi Kombet e Bashkuara thanë se zgjerimi i vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndim – që konsiderohen të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar – ka arritur në nivel rekord që nga viti 2017.
“Propozimi i ministrit të Financave, Bezalel Smotrich dhe ministrit të Mbrojtjes, Israel Katz për të shpallur dhe formalizuar 19 vendbanime të reja në Jude dhe Samari është miratuar nga kabineti”, thuhet në deklaratë, pa specifikuar se kur është marrë vendimi.
Smotrich është një përkrahës i zëshëm i zgjerimit të vendbanimeve dhe edhe vetë një kolon.
“Në terren, ne po e pengojmë krijimin e një shteti palestinez terrorist”, tha ai në deklaratë.
“Do të vazhdojmë të zhvillojmë, të ndërtojmë dhe të vendosemi në tokën e stërgjyshërve tanë, me besim në drejtësinë e rrugës sonë”, shtoi ai.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, së voni ka dënuar atë që e përshkroi si zgjerim “të pareshtur” nga Izraeli të vendbanimeve në Bregun e okupuar Perëndimor.
Kjo, sipas tij, “vazhdon të nxisë tensionet, të pengojë qasjen e palestinezëve në tokën e tyre dhe rrezikon paqëndrueshmërinë e një shteti palestinez plotësisht të pavarur, demokratik, të pandarë dhe sovran”, tha ai më herët gjatë këtij muaji.
Që nga fillimi i luftës në Gazë më 2023, thirrjet për themelimin e një shteti palestinez janë shtuar, me disa vende evropiane, Kanadanë dhe Australinë që së fundi kanë lëvizur drejt njohjes formale të një shteti të tillë, duke nxitur reagime dhe qortime nga Izraeli.
Sipas një raporti të OKB-së për zgjerimin e vendbanimeve tha se zgjerimi i tyre ka arritur nivelin më të lartë që nga viti 2017, kur OKB-ja nisi të mblidhte të dhëna për këtë çështje.
“Këto zhvillime po e forcojnë më tej okupimin e paligjshëm izraelit, po shkelin të drejtën ndërkombëtare dhe po minojnë të drejtën e popullit palestinez për vetëvendosje2.
Duke përjashtuar Jerusalemin Lindor, i cili u okupua dhe u aneksua nga Izraeli në vitin 1967, më shumë se 500.000 izraelitë jetojnë në Bregun Perëndimor, së bashku me afër 3 milionë banorë palestinezë.
Zyra e Smotrichit tha se 19 vendbanimet e sapomiratuara ndodhen në zona që i përshkroi si “tejet strategjike”, duke shtuar se dy prej tyre – Ganim dhe Kadim në veri të Bregut Perëndimor – do të rivendosen pasi ishin zhbërë dy dekada më parë.
Pesë nga 19 vendbanimet ekzistojnë tashmë, por deri më tani nuk kishin marrë status ligjor sipas ligjit izraelit, u tha në njoftim.
Ndërsa të gjitha vendbanimet izraelite në territorin palestinez konsiderohen të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare, disa poste të ngritura në mënyrë të paligjshme janë të paligjshme edhe sipas ligjit izraelit.
Megjithatë, shumë prej tyre më vonë legalizohen nga autoritetet izraelite, duke nxitur frikën për një aneksim të mundshëm të territorit.
Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka paralajmëruar Izraelin kundër aneksimit të Bregut Perëndimor.
“Izraeli do të humbiste të gjithë mbështetjen nga SHBA-ja nëse kjo ndodh”, tha Trump në një intervistë dhënë së voni për revistën Time.
Izraeli e ka okupuar Bregun Perëndimor më 1967 dhe dhuna atje është rritur ndjeshëm që nga shpërthimi i luftës në Gaza në tetor 2023, pas sulmit të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – ndaj Izraelit.
