Izraeli sulmon Damaskun, Ministri i Mbrojtjes: Tani do të vijnë goditje të dhimbshme

Izraeli sulmon Damaskun, Ministri i Mbrojtjes: Tani do të vijnë goditje të dhimbshme

Izraeli ka rritur sulmet ajrore ndaj Sirisë, përfshirë kryeqytetin Damask, duke deklaruar se po ndërhyn në mbështetje të komunitetit minoritar druzi, i cili është përfshirë në një konflikt të armatosur me grupe të tjera siriane.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka publikuar një video që tregon një sulm të drejtpërdrejtë ndaj një ndërtese në Damask, i cili ndodhi gjatë një transmetimi live televiziv – gazetari shihet duke u larguar me shpejtësi nga studioja pasi ndërtesa goditet.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka dhënë një deklaratë të ashpër pas sulmeve ajrore në Damask dhe në jug të Sirisë.

“Paralajmërimet në Damask kanë përfunduar – tani do të vijnë goditje të dhimbshme”, shkruan Katz.

Ai thotë se forcat izraelite do të vazhdojnë të veprojnë me forcë në zonën e Suweida-s, ku Izraeli ka ndërhyrë kohët e fundit për shkak të përleshjeve mes komunitetit minoritar druzi dhe grupeve të tjera të armatosura siriane.

Duke iu drejtuar komunitetit druzi në Izrael, Katz deklaron se Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) do të mbrojnë popullsinë druzi në Siri.

“Kryeministri Netanyahu dhe unë, si Ministër i Mbrojtjes, kemi marrë një angazhim – dhe do ta mbajmë atë”, shton ai.

Related Articles