Situata ka lëvizur me shpejtësi sot, pasi ushtria izraelite njoftoi se marrëveshja e armëpushimit hyri në fuqi këtë të premte, 10 tetor.
Si pjesë e marrëveshjes, trupat izraelite në Gaza po zhvendosen drejt vijës së tërheqjes fillestare të dakordësuar, pasi kabineti izraelit miratoi marrëveshjen mbrëmjen e kaluar. Armëpushimi duhej të hynte në fuqi brenda 24 orëve pas miratimit.
Sipas marrëveshjes, Hamasi ka 72 orë kohë për të dorëzuar të gjithë pengjet e mbetura, të gjallë apo të vdekur, pasi tërheqja të jetë përfunduar. Ky hap pritet të përmbyllet të dielën ose të hënën dhe do të pasohet nga lirimi i 1 mijë e 950 të burgosurve palestinezë nga Izraeli.
Paralajmërimi i Netanyahut
Menjëherë pas njoftimit për hyrjen në fuqi të armëpushimit, Benjamin Netanyahu mbajti një fjalim ku tha se trupat izraelite do të qëndrojnë në Gaza për të vazhduar presionin ndaj Hamasit derisa grupi të çarmatoset.
Duke qëndruar në territor, Izraeli po “e kap Hamasin nga të gjitha anët në përgatitje për fazat e ardhshme të planit,” tha Netanyahu, duke iu referuar fazës së dytë të planit të paqes të Donald Trump.
Ky plan kërkon që Hamasi të çarmatoset dhe të tërhiqet nga qeverisja në Gaza, e cila gjithashtu do të demilitarizohet.
“Nëse kjo arrihet në mënyrë të lehtë, aq më mirë. Nëse jo, do të arrihet në mënyrë të vështirë,” shtoi Netanyahu.