Izraeli tha të dielën se e ka vrarë një zëdhënës të Hamasit në Rripin e Gazës, ndërsa spitalet dhe dëshmitarët në të gjithë enklavën raportuan për dhjetëra palestinezë të vrarë nga bombardimet ajrore dhe të shtënat me armë.
Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, konfirmoi se zëdhënësi i krahut të armatosur të Hamasit, Abu Obeida, u vra në Gazë gjatë fundjavës.
Më herët, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se ushtria izraelite e sulmoi Obeidan, por nuk e dinte nëse ai ishte vrarë.
“Vërej që askush nga pala e Hamasit nuk po e trajton këtë çështje”, tha Netanyahu para ministrave në mbledhjen javore të kabinetit të tij.
Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Obeida lëshoi deklaratë për herë të fundit të premten.
Obeida është përfaqësuesi më i fundit i Hamasit i shënjestruar dhe i vrarë nga Izraeli, i cili po përpiqet t’i rrënojë kapacitetet ushtarake të grupit dhe ta parandalojë përsëritjen e sulmit të 7 tetorit 2023, kur militantët rrëmbyen 251 njerëz dhe vranë rreth 1.200 të tjerë, shumica civilë, në Izrael.
Hamas ende nuk ka komentuar mbi pretendimet e Izraelit.
Izraeli ka vrarë shumë nga drejtuesit kryesorë ushtarakë dhe politikë të Hamasit.
Ndërkohë, të paktën 43 palestinezë janë vrarë që nga e shtuna, shumica në Qytetin e Gazës, sipas spitaleve lokale.
Spitali Shifa – më i madhi në territor – tha se 29 trupa ishin sjellë në morgun e tij, përfshirë 10 persona të vrarë ndërsa kërkonin ndihmë dhe të tjerë të goditur në pjesë të ndryshme të qytetit.
Të dielën në mëngjes, zyrtarët e spitaleve raportuan edhe 11 viktima nga bombardimet dhe të shtënat. Spitali Al-Awda tha se shtatë prej tyre ishin civilë që përpiqeshin të arrinin tek ndihmat.
Dëshmitarët thanë se trupat izraelite hapën zjarr mbi turmat në Korridorin Netzarim, një zonë ushtarake izraelite që përshkon Gazën.
“Po përpiqeshim të merrnim ushqim, por hasëm në plumbat e pushtuesit”, tha Ragheb Abu Lebda, nga Nuseirati, i cili pa të paktën tre persona të gjakosur nga plagët me armë zjarri.
Izraeli prej javësh po operon në periferi të Qytetit të Gazës si dhe në kampin e refugjatëve Xhabalia. Ai gjithashtu ka intensifikuar sulmet ajrore në zonat bregdetare të qytetit.
Të paktën 63.371 palestinezë janë vrarë në Gazë gjatë luftës së Izraelit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila është pjesë e qeverisjes së Hamasit dhe e përbërë nga profesionistë mjekësorë.