Ja sa fluturime u anuluan për dy ditë në Aeroportin e Prishtinës

Ja sa fluturime u anuluan për dy ditë në Aeroportin e Prishtinës

Për shkak të mjegullës së dendur, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” janë anuluar rreth 50 fluturime në dy ditët e fundit, kurse në disa raste të tjera ka pasur vonesa.

Për pasojë numri i qytetarëve që detyrohen të presin gjatë nuk është i vogël.

Nga Aeroporti kanë thënë se këto dy ditë janë anuluar dhjetëra fluturime.

“38 fluturime janë anuluar ditën e djeshme. Nga to disa janë divertuar në aeroportet fqinje. Sot janë anuluar 4 fluturime deri më tani. Dukshmëria ka qenë nën 50 metra, prandaj është pamundësuar realizimi i fluturimeve”.

Para dy javësh, Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu tregoi se Qeveria ka investuar në një sistem të avancuar, ku me këtë rast tha se anulimi i fluturimeve për shkak të mjegullës “mbetet histori”.

Ndërsa këtë të enjte pas anulimit të dhjetëra fluturimeve, Aliu ka thënë se fluturimet me pilotë të certifikuar për përdorimin e këtij sistemi kanë ateruar me sukses, ndërsa ato fluturime pa certifikimin e nevojshëm janë anuluar ose devijuar.

Related Articles