Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka thënë se autostrada Gjilan – Prishtinë pritet të përfundojë në shtator të këtij viti, ani se tha se rreth 40 përqind e punimeve janë ende të papërfunduara.
“Autostrada, një prej projekteve më madhore, ndoshta në nivel vendi, për të cilën tashmë është ndarë buxheti në tërësi për vitin 2023, e që shpresojmë të mund të përfundohet brenda këtij viti. Kemi bërë dy vizita aty, prej kontakteve që i kemi pasur direkt në punime me kompanitë, por edhe prej takimeve që janë zhvilluar në Ministri me operatorët, zotimi është që të përfundohet në shtator të vitit 2023, ndërkohë që punime mbeten ende shumë, diku rreth 40 përqind e punimeve mbeten të përfundohen, sidomos segmenti që është në pjesën nga Gjilani, ka ende shumë punë”, tha Hyseni në Rubikon të Klan Kosova.