Komisioni Evropian ka mundësi që të rekomandojë me kusht statusin e kandidatit për Bosnje-Hercegovinën, kanë treguar disa burime në Bruksel për Radion Evropa e Lirë.
Komisionari i BE-së për Zgjerim, Oliver Varhelyi, do të prezantojë më 12 tetor paketën e zgjerimit, bashkë me raportet veç e veç për secilin shtet të Ballkanit Perëndimor.
Burimet brenda BE-së kanë konfirmuar për Radio Evropa e Lirë se Komisioni Evropian do të dalë me rekomandimin që Bosnje-Hercegovinës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, mirëpo me disa kushte.
Këto kushte besohet se datojnë nga viti 2019, kur Komisioni Evropian ka prezantuar qëndrimet e veta lidhur me gatishmërinë e Bosnjës për të fituar këtë status.
Në raportin e Komisionit Evropian për këtë vit – sipas dokumentit që ka parë Radio Evropa e Lirë – Bosnja nuk ka shënuar përparim në fushat kyçe.
Vlerësime të ngjashme ndër vite janë konsideruar arsye pse komisionarët kanë qenë kundër dhënies së statusit të kandidatit për Bosnjën.
Paketa e zgjerimit duhet të miratohet nga Komisioni Evropian më 12 tetor, duke përfshirë presidentin dhe nën-presidentët e këtij institucioni.
Viteve të fundit, në BE nuk është diskutuar shumë që Bosnja të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.
Mirëpo kjo çështje është aktualizuar pasi Komisioni Evropian ka rekomanduar për Ukrainën statusin e vendit kandidat, duke u bazuar në “mirëkuptim” që ky shtet më pas të plotësojë kushtet e duhura.
Pas rekomandimit të Komisionit Evropian, statusi kandidat i një shteti shqyrtohet dhe miratohet nga shtetet anëtare të BE-së, në nivel të qeverive.
Në rast se Bosnja e merr statusin e kandidatit, Kosova do të mbetet i vetmi shtet i rajonit të Ballkanit Perëndimor që nuk ka kërkuar formalisht anëtarësim në BE, ndonëse blloku evropian përsërit se “Kosova ka perspektivë evropiane”.