Ish- këshilltari i ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, Adil Behramaj ka reaguar ndaj dënimit të Gjykatës Speciale ndaj Pjetër Shalës.
Behramaj, ka përmendur rastin e ish- presidentit Donald Trump ku të hënën gjykata në Florida hedhi poshtë rastin kundër Trumpit për dokumentet e klasifikuara.
Behramj, ka shkruar se rrëzimi i kësaj aktakuze u bë, sepse emërimi i prokurorit special Jack Smith u konstatua si antikushtetues.
E, derisa ka folur për këtë ai ka pyetur se a dihet se sa veprimet e kundërligjshme i ka bërë Jack Smith në rastin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit?
“Shkeljet kishin filluar qysh në ditën kur presidenti Thaçi ishte nisur drejt Shtëpisë së Bardhë për takim me presidentin Trump. Zyra e Jack Smith në mënyrë të kundërligjshme lëshoi njoftimin për dorëzimin e aktakuzës, e cila ende nuk ishte e konfirmuar. Ky njoftim ishte lëshuar në kundërshtim me Rregullën 88(1) të Rregullores së Punës së Dhomave të Specializuara”, ka shkruar ai.
Postimi i tij i plotë:
Një gjykatëse amerikane, pardje e rrëzoi aktakuzën e prokurorit Jack Smith kundër presidentit Trump. Rrëzimi i kësaj aktakuze u bë, sepse emërimi i prokurorit special Jack Smith u konstatua si antikushtetues.
A e dini bre sa veprimet e kundërligjshme i ka bërë Jack Smith në rastin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit?Shkeljet kishin filluar qysh në ditën kur presidenti Thaçi ishte nisur drejt Shtëpisë së Bardhë për takim me presidentin Trump. Zyra e Jack Smith në mënyrë të kundërligjshme lëshoi njoftimin për dorëzimin e aktakuzës, e cila ende nuk ishte e konfirmuar. Ky njoftim ishte lëshuar në kundërshtim me Rregullën 88(1) të Rregullores së Punës së Dhomave të Specializuara.
Aktakuzat e para kjo gjykatë i ka ngritur pas skadimit të mandatit 5-vjeçar. Gjykata ishte krijuar me qëllimin e vetëm dhe ekskluziv të hetimit dhe gjykimit të krimeve specifike të identifikuara në raportin e Dick Martyt. Mandati maksimal i përkohshëm i saj ishte caktuar për pesë vjet, përveç nëse procedurat penale përfundonin më herët. Juridiksioni i ngushtë dhe i specializuar i Dhomave të Specializuara dhe mandati i saj i kufizuar kohor ishin arsyeja pse themelimi i tyre u mbështet gjerësisht nga lidershipi politik i Kosovës.
Me interpretime politike, për interesa ndërkombëtare, mandati i saj po trajtohet si i pakufizuar, sepse të drejtat e njeriut dhe ligji në Kosovë e për kosovarët nuk janë si në Amerikë, ku Jack Smith nuk mund të interpretojë sipas dëshirës.Aktakuza e konfirmuar më pas nuk kishte kurrfarë lidhje me raportin e Dick Martyt, aktin themelor të kësaj gjykate.
Rezultatet e punës së zyrës së Jack Smithit ishin vetëm të natyrës politike dhe joligjore.
Në Amerikë do të mjaftonin vetëm këto 3-4 çështje që të rrëzohej edhe kjo aktakuzë.
Gjithçka më pas ishte jotransparencë, përndjekje dhe politikë. Pa kurrfarë llogaridhënie. Pa kurrfarë korrigjimi gjyqësor. Pa kurrfarë mbikëqyrje shtetërore apo ndërkombëtare.
Ishte padrejtësi!
I padrejtë ishte edhe vendimi i sotëm për Pjetër Shalën!Nëse ndërkombëtarëve u duhet një barasvlerë morale e rreme midis krimeve të llahtarshme të luftës dhe spastrimit etnik të sponsorizuar nga shteti i Serbisë, me ndonjë krim individual që mund të jetë kryer nga ndonjë shqiptar kundër ndonjë civili serb, Kosovës i duhet e vërteta e saj historike!