Jahti luksoz që udhëton Jeff Bezos furnizohet me 0.43 euro për litër në Sarandë

Jahti luksoz që udhëton Jeff Bezos furnizohet me 0.43 euro për litër në Sarandë

Të lundrosh një javë me këtë jaht “Flying Fox”, kushton tre milion euro, çka e bën atë të mundshëm vetëm për më të pasurit e botës.

Por edhe miliarderët duket se i kanë qejf ofertat dhe në brigjet shqiptare, e tillë është nafta pa akcizë që u ofrohet.

Jahti që bën bujë kudo që ankorohet, mbërriti këtë të mërkurë në brigjet e detit të Sarandës.

Pronësia e “Dhelprës Fluturuese“, në media i njihet themeluesit të Amazon, Jeff Bezos edhe pse kjo është mohuar. Zyrtarisht mjeti rezulton në pronësi të një kompanie e cila e jep me qira.

Drejtori i Portit të Sarandës, konfirmoi se nga të dhënat e tij në bord nuk ka personazhe VIP, por vetëm anëtarët e ekuipazhit.

Ata kanë kërkuar leje për tre ditë me qëllim kryesor mbushjen me karburant.Jahti luksoz me të cilin lundron Jeff Bezos shihet në Sarandë, njeriu më i pasur në botë ndodhet në Shqipëri?

Me vendimin e Qeverisë shqiptare për heqjen e akcizës për karburantin për jahtet, ai do ta përfitojë me një çmim prej 52 lekësh [43 euro cent] për litër.

Sipas të dhënave, serbatorët gjigantë mbajnë 682 mijë litra karburant që do të thotë se nëse do të bëjë mbushje të plotë do t’i kushtojë 35,490,000 lekë [rreth 292 mijë euro].

Nëse miliarderi që po bën pushimet me mjetin lundrues me vlerë 400 milionë dollarë do ta blinte naftën me çmimin e tregut rreth 175 lekë [1.44 euro] do të duhet të paguante 119,437,500 lekë [rreth 982 mijë euro].

Kjo do të ishte fatura për kompaninë edhe në Itali ku u pa pak ditë më parë në Sicili. Në fqinjin përtej Adriatikut çmimi për litër shkon në 1.46 euro. Që kur Qeveria shqiptare vendosi heqjen e akcizën e karburantit për jahtet e huaja, në portet shqiptare të shfaqen disa nga mjetet lundruese të miliarderëve të botës.

Related Articles