Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, ka thënë se serbët e Kosovës nuk u larguan nga institucionet e Kosovës që të kthehen së shpejti dhe se është gabim të mendohet një gjë e tillë.
Në një intervistë për televizionin “N1”, Janjiq ka thënë se Brukseli është duke e trajtuar shumë me lehtësi krizën në Kosovë.
“Jemi në fillim të një faze krejt të re. Është e qartë se kjo është një tërësi e rëndë rrethanash, e që janë rezultat i politikave të gabuara, jo vetëm në rajon dhe jo vetëm mes shqiptarëve e serbëve. Tash për tash, shoh një lloj lehtësie me të cilën Brukseli sillet pa i menduar pasojat. Autoritetet e Kosovës do të vazhdojnë të sillen si çdo shtet apo elitë që beson se është i sigurt”.
“Mirëpo, është e pamundur pasi serbët nuk u larguan nga institucionet të kthehen së shpejti. Ata u larguan në mënyrë që të fitojnë ndonjë dialog të ri, një realitet të ri, dhe ky realitet është, ndoshta, një rajon i ri etnikisht i pavarur. Ka shumë të panjohura. Historia se ata do të kthehen pas dy-tre netësh më duket joreale”, ka thënë Janjiq.
Janjiq ka thënë se Beogradi po përdorë serbët në Kosovë për pikë politike.
“Ata janë një instrument, kjo ndodhë që nga viti 2013. Serbët në veri të Kosovës nuk janë integruar. Të gjithë luajtën mbi status quon me shpresën se ose do të largohet Serbia ose do ta zgjidhë këtë një i tretë”, ka thënë Janjiq.
Sa i përket Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Janjiq ka thënë se pala serbe ka gabuar duke e lidhur me Republika Sërpskan.
“Ky Asociacioni nuk është i mundur, ka qenë e qartë nga fillimi. Kishte kuptim duke qëndruar vetëm në katër komuna. Ka një problem të dytë në këtë koncept pasi pala serbe Asociacionin e lidhi me Republikan Sërpskan. Kjo lidhje nuk ka ekzistuar kurrë. Nuk është model i mirë”, tha Janjiq.