Janjiq: Putini do të ishte njeriu më i lumtur nëse do të kishte të shtëna në veri të Kosovës

Janjiq: Putini do të ishte njeriu më i lumtur nëse do të kishte të shtëna në veri të Kosovës

Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiq, vlerëson se situata aktuale në Kosovë është një fazë që mund të quhet krizë e sigurisë dhe asaj po i vjen fundi. Ai tha se “askush nuk do të ishte më i lumtur sesa Putini nëse do të kishte të shtëna në veri të Kosovës”.

Janjiq beson se kriza ka arritur kulmin dhe se, sipas tij, edhe politikani i fundit e kuptoi se konfliktet e armatosura janë të mundshme.

“Barrikadat ishin vetëm një mjet në kuadër të konfliktit menaxhmentit dhe politikës së reciprocitetit, për të cilën u ‘kapën’ Beogradi edhe Prishtina, Vuçiqi dhe Kurti”, tha Janjiq.

Siç transmeton “N1”, Janjiq theksoi se momenti i aplikimit të tyre nuk ka qenë i përshtatshëm dhe është shfaqur edhe kundër efekti i tyre.

“Është e zakonshme që pas barrikadave të njerëzve të armatosur të jetë gjithmonë dikush që i organizon dhe këto janë zakonisht parti politike”, përkujtoi Janjiq dhe vlerësoi se “në këtë rast kësaj i është bashkuar shteti i Serbisë, si në vitet ’90-ta”.

Ai theksoi se barrikadat, si mjet lufte, kërkojnë kontroll të plotë dhe theksoi se barrikadat aktuale nuk kanë pasur mbështetjen e përgjithshme të qytetarëve, e cila në raste të tilla duhet të ekzistojë jo vetëm në veri të Kosovës, por edhe në Serbi.

Sipas mendimit të tij, “barrikadat janë bërë dhe dakorduar në një rreth të ngushtë dhe janë të destinuara për qytetarë të painformuar dhe tashmë të keqtrajtuar nga kriza”.

“Ekziston problem në kontrollin e atyre që do të keqpërdorin barrikadat”, tha Janjiq, dhe vuri në dukje se rreziku më i madh në këtë drejtim nuk vjen nga njerëzit nga veriu i Kosovës dhe atyre të kontrolluar nga Beogradi, por nga ata që nuk kontrolloheshin nga askush, për shkak të kontekstit të luftës në Ukrainë.

“Askush nuk do të ishte më i lumtur se Putini nëse do të kishte të shtëna në veri të Kosovës. Kishte të shtëna, por kjo ishte tashmë faza kur po negociohej çfarë të bëhej me barrikadat”, tha Janjiq.

Atë që mediat e paraqitën si “vringëllimë të armëve, tregimin për forcat dhe vendosja e obuseve [haubicave]”, Janjiq e ka parë si një “mekanizëm përgatitjeje për heqjen e barrikadave”.

Sipas tij,  pasojnë vetëm negociatat, sepse barrikadat janë vendosur me vendim të njëanshëm, si reciprocitet i masave që ndërmori Prishtina.

“Ato negociata fillimisht do të duhet të jenë për pasojat e barrikadave, për kthimin e listës serbe dhe rivendosjen e ligjshmërisë dhe legjitimitetit të institucioneve të Kosovës tek serbët, dhe vetëm pas kësaj do të vijojnë bisedimet e famshme për të ardhmen dhe statusin në Kombet e Bashkuara”, tha Janjiq.

Related Articles