Ambasada e Republikës së Kosovës në Tokio ka organizuar pritje zyrtare me rastin e shënimit të 15 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Në mesin e shumë të pranishmëve, përfshirë autoritete vendore përfaqësues politik dhe bashkëkombës nga Kosova e Shqipëria, ambasadori Sabri Kiçmari tha se që nga shpallja e pavarësisë Kosova ka arritur të zërë vendin e saj në grupin e shteteve të lira dhe të pavarur në Evropë, të vendos sistemin demokratik dhe të hyjë në marrëdhënie bashkëpunimi me një numër të madh vendesh në të gjitha kontinentet.
Ai ka thënës e Japonia është një nga miqtë më të mirë të Kosovës. Kosova e konsideron Japoninë partner strategjik afatgjatë. Miqësia në mes të dy vendeve është rikonfirmuar gjatë vizitës së presidentes Osmani në vitin 2021 dhe gjatë vizitës së kryeministrit Kurti në shtator të vitit të kaluar dhe takimeve të tij me kryeministrin Kishida dhe kryetarine Parlamentit z. Hosoda. Në këto takime, të dy vendet u angazhuan për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve tona.
Në fjalën e tij ministri i shtetit për punë të jashtme të Japonisë z. Kenji Yamada ka rikonfirmuar gatishmërinë e Qeverisë së Japonisë për thellimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve tona, kurse deputeti Ryu Shionoya, kryetar i grupit të miqësisë Japoni-Kosovë në Parlamentin e Japonisë, ka vënë në pah rëndësinë e bashkëpunimit ndërparlamentar në mes të dy vendeve, përderisa ish ministri i shtetit për punë të jashtme dhe mbrojtje Yasuhide Nakayama ka folur për thellimin e miqësisë në mes të Kosovës dhe Japonisë.
Në takim kanë marrë pjesë një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Japonisë, anëtar të Parlamentit të Japonisë, ambasadorë të akredituar në Tokio, të ngarkuar me punë, profesorë she studiues japonezë si dhe një numër i bashkatdhetarëve tanë nga Shqipëria dhe Kosova.