Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jashari, ka reaguar pas deklaratave të ministres së Arsimit dhe Teknologjisë, Arbëria Nagavcit.
“Kjo nënkupton se përmes gjykatës do të kërkojmë realizimin e kësaj që na siguron kontrata, pra çdo orë mbi normën 20 orë javore të kompensohet” kështu është shprehur Jashari.
“Nëse me këtë deklaratë heshtin dhe ministria vazhdon atëherë ne nuk e përjashtojmë mundësin që nëse mësimdhënësit kërkojnë nga ne që lëndët ne t’i paraqesim në gjykatë”, ka shtuar Jashari.
Jashari, tutje ka deklaruar se mësimdhënësit në këtë periudhë janë angazhuar shumë, pasi që nxënësit janë ndarë në grupe në mënyrë që të zhvillohet procesi mësimor. Kjo ka ndodhur si rezultat i masave të ndërmarra për parandalimin Covid-19.
“Ne kemi kërkuar vazhdimisht që të jemi prioritet dhe nuk është bërë. Po them që duhet të jemi të lumtur që po kryejmë mësimin e rregullt dhe nuk është koha që të ngarkohen mësimdhënësit edhe me mësime plotësues”, ka deklaruar ai pr Albanian Post.
Kontrata Kolektive e nënshkruar mes MASHT-it dhe SBASHK-ut specifikon në detaje cila është norma javore e procesit të mbajtjes së mësimit dhe ajo përgatitore.
“Norma javore për mësimdhënësit është 20 orë aktive në klasë, 15 orë përgatitje për orë, dhe 5 orë komunikim me nxënës dhe prindër”, është shprehur ai.
Duke iu referuar kësaj marrëveshje, Jashari thotë se orët shtesë duhet të paguhen, andaj ai thotë se kanë bërë edhe kërkesë për këtë çështje. Ndërsa drejtorit e arsimit në komuna nuk e kanë mirëprit vendimin e ministres.
Jashari ka shtuar se deklarata e Nagavcit në rrjete sociale se “mësimdhënësit duhet të jenë të lumtur që kanë një kontratë dhe vend pune”, i ka irrituar shumë.
“Jemi irrituar që Nagavci vazhdimisht po përmend dhe e ka bërë si shprehi duke thënë se mësimdhënësit duhet të ndihen të lumtur që kanë vende pune, ku e thotë që shumë njerëz kanë humbur vendet e punës për shkak të pandemisë”.
Jashari thot se mësimdhënësit ndihen të kërcënuar kur ju përmendet vendi i punës dhe se ato vende i kanë të siguruar në mënyrë legale, me konkurse.
SBASHK-u ka kërkuar nga Drejtoritë Komunale të Arsimit të di nëse vendimi i ministres është i qëlluar, nëse do të zbatohet dhe nëse do të kompensohen mësimdhënësit. Nëse kjo nuk ndodhë, që mësimdhënësit të kompensohen, sindikata e mësimdhënësve paralajmëron që lëndët do t’i dërgojnë në gjykatë.