Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, ka pritur në takim Komandantin e Organizatës për Menaxhimin e Trajnimit dhe Asistencë të Sigurisë së Ushtrisë së SHBA-së – SATMO, Thomas Melton.
FSK-së njofton se gjatë takimit u diskutua edhe rreth aktiviteteve që janë zhvilluar deri më tani, duke përfshirë mbështetjen e ekipeve të SATMO-s në ngritjen e kapaciteteve trajnuese dhe procesit të validimit të njësive, si pjesë e planit të zhvillimit të Forcës.
Po ashtu, theksohet se dy komandantët kanë folur për planin tre-vjeçar të aktiviteteve të përbashkëta që do të realizohen në të ardhmen dhe se roli i ekipeve të SATMO-s është i jashtëzakonshëm në trajnimin dhe ngritjen e kapaciteteve të reja të FSK-së.
“Gjeneral Jashari i uroi mirëseardhje Kolonelit Melton dhe e falënderoi për kontributin dhe angazhimin e ekipeve të SATMO-s, në ngritjen dhe zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Gjithashtu, u vlerësuan lartë të arriturat e deritanishme të FSK-së dhe performanca e dalluar që pjesëtarët tonë kanë treguar gjatë aktiviteteve me ekipet e SATMO-s”- thuhet në njoftimin datës 20.09.2025.