Jevtiq: Chollet i ka bërë të qartë Kurtit, me ose pa të, Asociacioni do të formohet deri në pranverë

Jevtiq: Chollet i ka bërë të qartë Kurtit, me ose pa të, Asociacioni do të formohet deri në pranverë

Kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, ka thënë sot se këshilltari i lartë i Departamentit të Shtetit, Derek Schole, i ka thënë Albin Kurtit se Asociacioni i Komunave Serbe do të formohet deri në pranverë, me ose pa të.

“Në takimin me Schole dhe delegacionin amerikan na është përcjellë një informacion i tillë, por nuk e pres që Kurti ta bëjë këtë dhe kam frikë se do të ketë ndonjë incident, sepse sa herë që vjen një mesazh i tillë nga Uashingtoni, ai devijon në atë mënyrë që ta largojë vëmendjen nga ajo”, tha Jevtiq për Tanjug.

Ai theksoi se është e qartë se Bashkimi Evropian nuk ka mekanizma ndikimi ndaj Kurtit, për ta detyruar atë të zbatojë çdo marrëveshje dhe se Uashingtoni luan një rol kyç. Jevtic shtoi se të gjithë të dërguarit në Kosovë pak a shumë e kuptojnë se problemi është në Prishtinë dhe vlerësoi se Kurti nuk dëshiron të mbahet mend se ka arritur marrëveshje me serbët, e sidomos që nuk u ka dhënë disa të drejta në Kosovë.

“Mendoj se Kurti nuk do ta formojë AKS-në dhe se sado presion të jetë mbi të, më mirë do të largohet nga pushteti sesa t’i përmbushë obligimet ndërkombëtare të Kosovës”, ka theksuar Jevtiq.

Ai tha se në mesin e popullatës serbe në Shtërpcë, pas të shtënave dhe sulmit fizik ndaj të rinjve serbë në ditën e Krishtlindjes, ka ndjenja të përziera të frikës, sfidës dhe krenarisë.

“Por në thelb, padyshim që ka shqetësim nga qytetarët, të cilin e kam përcjellë në biseda me përfaqësues të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës. Në anën tjetër, ka një mosbesim të madh në institucionet e Kosovës. Ne paralajmëruam se diçka e tillë mund të ndodhë nëse Albin Kurti vazhdon me retorika ku na quan kriminelë dhe terroristë dhe se dikush mendon se është në rregull të gjuajë serbët, sepse ai na qëllon si terroristë dhe kriminelë dhe se nuk do të dënohet për këtë”, tha Jevtiq.

Ai ka theksuar se me arrestimin e personit që ka qëlluar në drejtim të serbëve nuk i jep fund problemit.

“Rrëfimi që u shfaq pas arrestimit të autorit të kësaj vrasjeje në tentativë, se e ka bërë për vetëmbrojtje dhe se është hero, paralajmëron se jemi shumë larg faktit që gjithçka ka përfunduar vetëm me arrestimin. Përkundrazi, duhet të bëhet në mënyrë parandaluese dhe këtë kam kërkuar nga KFOR-i dhe Policia e Kosovës”, tha Jevtiq.

Ai shtoi se prania e tyre në teren është shtuar ditëve të fundit, por vlerësoi se nuk është vetëm çështje të shihet ajo prezencë, por edhe të ndryshohen gjëra të tjera.

“Prandaj përgjegjësinë më të madhe e kanë ata që përhapin një retorikë të tillë dhe politikë urrejtjeje ndaj një populli. Ky është burimi i problemit dhe këtë duhet ta kuptojë bashkësia ndërkombëtare, sepse vetëm ai mund t’i thotë Kurtit mjaft dhe se rezultatet të politikës së tij janë një numër i madh i incidenteve”, thotë ai.

Ai ka vlerësuar se i vetmi lajm i mirë që ka dalë nga takimet e tij me përfaqësuesit e policisë së Kosovës është se një numër i caktuar i serbëve nga stacioni policor në Shtërpcë janë dislokuar në veri të Kosovës.

Jevtiq tha se 6 janari ishte një ditë shumë e vështirë, sepse njerëzit ishin plot zemërim për shkak të gjithçkaje që kishte ndodhur dhe se ishte shumë e vështirë për të mbajtur nën kontroll situatën.

Related Articles